Mundësi kuqezi, Chermen Valiev, ka rrëmbyer medaljen e artë në turneun e ranking series “Muhamet Malo”, që po zhvillohet në Shqipëri.
26-vjeçari garoi në peshën 74 kilogramë, duke mundur në finale mundësin sllovak Tajmuraz Salkazanov me rezultatin 2-0.
Ky sukses e ngjit Valievin në vendin e katërt në renditjen botërore të kësaj kategorie, me një total prej 31 mijë pikësh.
Turneu i ranking series, i cili u shërben sportistëve për të grumbulluar pikë të vlefshme ndërkombëtare, ka mbledhur mbi 700 garues dhe po zhvillohet me interes të lartë.
Ndërsa Valiev shkëlqeu për Shqipërinë, Irani dominoi ditën e parë të garave, duke fituar dy medalje ari. Turneu mban emrin e mundësit të njohur Muhamet Malo dhe do të zgjasë nga 26 shkurti deri më 2 mars, njofton euronewsal.