Si njeri i hekurtë që i dha shumë vendit u kujtua Haxhi Thaçi në akademinë përkujtimore në Skënderaj, nën prezencën e personaliteteve të rëndësishme të politikës dhe njerëz të afërm të familjes Thaçi.
Endrit Thaçi: S’e lejuan babin për varrim, por erdhën Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina
Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endriti në emër të familjes ka falënderuar të gjithë për përkujtimin që ia bënë kreut të kësaj familje. Ai tha se gjyshi kishte besimin e pafajësisë së krerëve të UÇK-së.
“Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta ritakuar babin dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ishte më e madhe se sa dhimbja e sëmundjeve. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurtë sesa aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit, çdo orë e minutë priste që babi të hapte derën e spitalit. Nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë. Tri orë bashkëbisedim atë ditë ju bënë tri orët më të rëndësishme të jetës së tij, një bisedë babë e bir”, tha ai.
“Nuk e lejuan t’ia gjuajnë një grusht të dheut të Drenicës mbi varr. Por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, ka thënë Endrit Thaçi.
Spiropali: Haxhiu do të jetojë në shëmbëlltyrën e tij – Hashim Thaçin
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se Haxhi Thaçi do të jetojë në shëmbëlltyrën e tij, veprimtarinë e djalit Hashim Thaçin.
“Ai është shembulli se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, njerzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Historia e bacës Haxhi dëshmon se liria është trashëgimia më e çmuar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se themelet shtetërore të Kosovës janë të ndërtuara mbi mundin e baballarëve si Haxhi Thaçi, që dha shumëçka për vendin.
“Historia e bacës Haxhi është historia e shumë baballarëve në Kosovë, të cilët përmes dekadave të shtypjes, ushqyen te fëmijët e tyre një shpirt të pathyeshëm. Është historia e atyre që me asgjë tjetër veç vendosmërisë i mësuan bijtë e bijat e tyre se dinjiteti nuk dorëzohet kurrë, se shpresa nuk shuhet kurrë, dhe se liria është trashëgimia më e çmuar”, ka thënë Krasniqi.
Nura: Haxhi Thaçi na dha mësim që liria është e shenjtë
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, ndau kujtimet e tij të fundit me të ndjerin, Haxhi Thaçi. Tregoi shpresën që kishte i ndjeri për rikthimin e ish-presidentit Hashim Thaçi në këtë pranverë.
“Ai na dha mësim se liria është e shenjtë dhe duhet punuar e luftuar për të. Haxhi Thaçi është pjesë e brezit që mbolli farën e lirisë dhe ujiti atë me përkushtim të jashtëzakonshëm e me sakrifica të mëdha. Prandaj ai sot i la trashëgimi historike Kosovës”, ka thënë ai, njofton rtk.