/ Nga Ismet Rashiti, Zvicër/
SAQIP ZYMBERI: DYZET E KATËR VJET VEPRIMTARI ATDHTARE
Atdhetari i njohur, Saqip Zymberi, lindi më 2 tetor 1950 në fshatin Breznicë të Bujanocit nga prindërit Ramadani dhe Lutfija. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen në Bujanoc. Gjendja e rëndë ekonomike dhe padrejtësitë e shumta që u bëheshin shqiptarëve nën pushtimin serb kishin bërë që Saqipi, në marsin e vitit 1977, të merrte rrugën e vështirë të kurbetit.
Për herë të parë ishte vendosur në Cyrih të Zvicrës, ku edhe filloi veprimtarinë e tij konkrete patriotike në formë të organizuar. Kontaktet e para me librat dhe gazetat në gjuhën shqipe nga Tirana e bënë këtë djalosh, aso kohe 27 vjeçar, të kuptonte gjithnjë e më shumë gjendjen e rëndë të shqiptarëve, shfrytëzimin e pasurive nëntoksore të Kosovës nga Serbia, si dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare të shqiptarëve nga Serbia.
Thonë se rasti është mbret i botës. Saqip Zymberi, duke udhëtuar me tren në drejtim të St. Gallenit, rastësisht ishte takuar me Kadri Zekën, tani hero i Kosovës. Pasi kishin shkëmbyer mendime rreth jetës së vështirë të mërgimtarëve shqiptarë, Kadri Zeka ia kishte dhënë pesë numra të gazetës “Liria” që t’i lexonte dhe t’i shpërndante aty ku kishte mundësi. Ishte ky kontakti i parë, me të cilin kishte folur hapur për gjendjen e rëndë dhe padrejtësitë historike që u ishin bërë shqiptarëve. Kjo bisedë i kishte lënë përshtypje të mëdha, ndërsa ata pesë numra të gazetës “Liria”, bashkë me vendasin dhe bashkëveprimtarin e tij, Faik Jonuzin, i kishin dërguar në Kosovë dhe ishin shpërndarë dorë më dorë në rrethin e patriotëve.
Pastaj, me Kadri Zekën, të cilin e njihte vetëm me pseudonimin “Zeqa”, ishte takuar në demonstratën e parë të 11 prillit 1981 në Bern, në mbështetje të demonstratave gjithëpopullore në Kosovë për Republikën e Kosovës. Të njëjtën ditë, në mbrëmje, ishte organizuar një takim në sheshin “Limatplaz” të Cyrihut, ku kishin folur Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. “Ndonëse në këtë takim, një shok imi më informoi se kush ishte dhe si e kishte emrin e vërtetë, kurrë nuk e kam zbuluar ‘Zeqën’. Kemi bërë përpjekje ta ruanim si sytë e ballit, sepse e dinim sa shumë i duhej çështjes kombëtare,” thotë pas kaq shumë vitesh Saqipi.
Që nga pranvera e madhe e vitit 1981, Saqip Zymberi ishte bërë pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare. Ai merrte pjesë aktive në të gjitha tubimet dhe demonstratat e atij viti historik. Banesa e tij në Cyrih ishte bërë një bazë e fortë e lëvizjes. Aty hynin e dilnin veprimtarë të shumtë, si Kadri Zeka, Ibrahim Kelmendi, Hasan Kadrija, Faik Jonuzi, Rashit Rashiti dhe shumë të tjerë.
Tani, pas kaq shumë vitesh, Saqip Zymberi evokon kujtime interesante të vitit 1981: “Në Afoltern, konsullata jugosllave kishte organizuar një koncert me këngëtarë nga Kosova. Aty, i gjithë publiku u ngrit në këmbë dhe brohoriste parullën ‘Kosova Republikë’. Zijah Shemsiu, tani dëshmor i kombit, ndër të parët doli në skenë, hypi mbi një karrikë, e hoqi flamurin jugosllav dhe ma dha mua, të cilit ia dhash flakën. Ambasada jugosllave thirri policinë, të cilët erdhën dhe na shpërndanë. Ata ishin të dresuar dhe kafshuan Kadri Abdullahun, Hasan Kadrijën dhe shumë veprimtarë të tjerë,” thotë Saqipi.
Ky veprimtar i palodhur dhe i heshtur ka dhënë një kontribut të madh edhe në themelimin e Klubit Shqiptar “Përparimi” në Cyrih, i cili ka kontribuar shumë në bashkimin e shqiptarëve, shpërndarjen e shtypit të fshehtë dhe organizimin e demonstratave dhe tubimeve të tjera me karakter kombëtar.
Në shkurt të vitit 1982, atdhetari i devotshëm Saqip Zymberi bëhet anëtar i grupit “Albanikos”, në një celulë me Ramiz Arifin, Musa Bahtijarin dhe Faik Jonuzin nga fshati Breznicë. Në dhjetor të vitit 1982, Saqipi organizohet në radhët e LRSSHJ, bashkë me Nazim Maliqin nga Dardana dhe Musa Bahtijarin nga Breznica. Në mars të vitit 1985, bëhet anëtar i OMLK-së, së bashku me Agim Sylejmanin, Shyhrete Malajn, Zymrije Sylejmanin, Begzad Sinanin, Jashar Kastratin, Ramadan Demakun dhe Selatin Abdullahun.
Për shkak të veprimtarisë patriotike, më 8 dhjetor 1985, Saqip Zymberi arrestohet dhe dënohet me katër vjet burg, të cilin, ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, e mbajti pa u thyer asnjëherë. Meqenëse gjendja shëndetësore sa vinte dhe përkeqësohej, shokët e burgut kishin vendosur t’i jepnin gjak, por Saqipi në asnjë mënyrë nuk kishte pranuar: “Nuk doja asesi t’u merrja gjak shokëve të idealit, sepse ishin më të rinj, më të shkolluar dhe mund t’i shërbenin më shumë Kosovës pas daljes nga burgu,” thotë Saqipi.
Pas vuajtjes së dënimit dhe përndjekjes së vazhdueshme nga sigurimi shtetëror jugosllav, Saqip Zymberi detyrohet të kërkojë azil politik në Zvicër. Aty i përvishet menjëherë veprimtarisë atdhetare për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Një kohë ka qenë nënkryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Zvicër. Njëkohësisht, ka marrë pjesë në të gjitha manifestimet me karakter kombëtar. Kontribut të veçantë ka dhënë në mobilizimin dhe grumbullimin e mjeteve financiare për fondet “Vendlindja Thërret” dhe “Zëri Atdheut”.
Atdhetari i përkushtuar, Saqip Zymberi, ndonëse në moshën 75-vjeçare, edhe sot vepron pa u ndalur për çështjen kombëtare, kudo që e kërkon nevoja. Në këtë rrugëtim të gjatë, 44-vjeçar të veprimtarisë kombëtare, gjithmonë e ka pasur përkrah bashkëshorten e tij Lida, e cila ka bartur mbi supe jetën e vështirë ekonomike dhe ndjekjet e familjes Zymberi nga UDB-ja jugosllave. Megjithë këtë, Lida gjithmonë ka qenë e pathyeshme dhe e vendosur ta mbështes pa rezerva kauzën e drejtë kombëtare, bashkë me bashkëshortin, atdhetarin e njohur, Saqip Zymberi.
FOTOT:
- Saqip Zymberi në ball të demonstratës, 1981, Bruksel,
- Saqip Zymberi me bashkëshorten, Liden në veprimtari kombëtare,
- Saqip Zymberi në mes të veprimtarit, Zahir Kamberi dhe Ismet Rashitit (autor i këti shkrimi)