Në çdo shkronjë të alfabetit të kujtoj dhe nga 36 shkronjat rrezaton dritë! Me zemrën e këtyre shkronjave je gravuar dhe do të mbaj deri sa të vij në përjetësi, aty ku shpirti yt i bardhë shkëlqen bardhësi! Prej sekondës së parë që mësova nga ti për Naim Frashërin, Fishtën, Nolin, Konicën, etj, pastaj mësova se si nxirret vargu nga zemra e shpirti e deri më tash, por edhe në të ardhmen, jetoj me kujtimet tua dhe ec me sukseset që ke dashur ti kem.
Në çdo libër të botuar, në çdo sukses timin, je edhe ti profesoresha ime, Sadete Presheva. Fjalë tua i mbaj në rrënjët e zemrës sime! Fjalët tua janë si lulet që i japin aromë dhe hijeshi bahçes së shpirtit tim! Shpirtin e dorëzove në Shqipëri, aty te Shkëmbi i Kavajës, pushon në Preshevë, aty ku fillon e mbrohet shqiptaria. Nuk dua të them se ke vdekur, nuk ke vdekur, ke ndërruar jetë, por po jeton me neve.
Ja, edhe dje në Preshevë, përmes fjalës së shkruar u kujtove në kompletin e librave që në çdo faqe është një jetë reale e përjetuar. Bashkëshorti, djemtë, nipa, mbesa, familja e gjerë, miq, ish nxënës dhe shumë qytetarë të kujtuan e do të kujtojnë.
E kam thënë dhe e përsëris, emri dhe jeta jote na bënë krenarë, por emri yt duhet të jetësohet edhe në emërimin e një sheshi apo institucioni! Sikur ta kisha grushtin e fortë… edhe pse jemi shumë vonë, por do të vije dita e bardhë! Serioziteti, profesionalizmi, atdhedashuria, do të mbeten model brez pas brezi! Poetesha e parë shqiptare në këto hapësira me libër të botuar në vitin 1974, sikur i ke ndjerë dallgët që atëhere, se meritokracia njihet nga ata që kanë vlerën.
I kam shkruar dhe po i shkruaj, dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, do të duhej që ta dekorojnë me medalje presidenciale, ndërsa Presheva, që kurrë nuk e lëshoi për asnjë pozitë e materializëm, por e mbajti jetën kulturore atje e duke përgatitur brezin e ri, ta ketë sheshin dhe emërtimin e një institucioni!
Çka të shkruhet më shumë se sa madhështi?!
Bashkë me disa nxënës të tu, nuk kishim mundësi që të jemi dje në Preshevë në promovimin e veprave tua, në mesin e familjes tënde dhe miqve të shumtë, por ti e di, se kujtimi dhe falënderimi për ty gjithmonë ishte dhe do të jetë, nuk ka pasur e nuk do të ketë mosfrymëmarrje! Këto poezi i ke lexuar sa ishe gjallë fizikisht. Por, nuk jam ndalur së shkruari dhe as që do të ndalem për Ty! Pusho e qetë në përjetësi e vargjet tua dhe e gjithë puna jote po bëjnë dritë! ( Shkruan PhD.Dashnim HEBIBI në profilin e tij në Fb për Profesorëshën e tij tashmë të ndjerë, znj.Sadete Presheva)