Ashtu siç ju kemi informuar, mbrëmë në hapësirat e Bibliotekës ‘Pestalozzi Hardau’ në Cyrih, me fillim nga ora 18.00, me organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Bern, u organizuan dy ngjarje të rëndësishme, 80 vjetori i çlirimit të Shqipërisë, Rezistenca e Shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore “Në anën e duhur të Historisë“ dhe u shfaq filmi „Nëntori i Dytë“, kujto historinë, ndje lirinë.
Ishin mbledhur bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ish kryetari i Rrjetit të Biznesit për Zvicrën Qendrore, z. Florim Useini, i shoqëruar me Shefin e Misionit Konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, me kryetarin e Rrjetit të Biznesit për Zvicrën Qendrore, njëherit afarist i suksesshëm, z. Visar Robelli e shumë të tjerë. Ja se si e ka përjetuar këtë takim festiv z. Florim Useini:
„Isha i nderuar që me ftesën nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Sekretarin e Parë z. Valon Gashi, morra pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të shënimin të 80 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Me një program të shfaqjes së filmit legjendar „Nëntori i Dytë“- një dramë historike që portretizon ngjarjet kyçe të shpalljes së pavarësisë dhe përpjekjet për liri e identitet kombëtar gjatë fillimit të shekullit XX.
Poashtu, me Ekspozitën “Në anën e duhur të historisë” – Një udhëtim nëpër kontributin dhe rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky aktivitet ishte organizuar në kuadër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë, Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Arkivit Qendror Shteteror të Filmit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Padyshim që takova miq, si Shefin e Konsullatës së Kosovës në Zürich z. Vigan Berisha , kryetarin e rrjetit të bizneseve z. Visar Robelli, Kryetarin e Unioni i Afaristeve Vizioni-PMB Xhimi Xhim Presheva, nga shkolla shqipe z. Vaxhid Sejdiu, nga ‘albinfo’ znj. Luljeta Ademi, nga ‘Neofilms’ z. Dalip Gashi dhe znj. Ilirjana Bejta, z. Argjend Lika nga Oda Kërçovare Zvicër dhe shumë të tjerë.“
Duhet vlerësuar bashkëpunimin në mes Ambasadës së Shqipërisë, konkretisht të z. Valon Gashi, Sekretar i Parë me Shefin e Misionit Konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, Z. Florim Useini, z. Visar Robelli, të cilët janë shtylla uniteti në gjithë Zvicrën dhe jo vetëm.
Z. Valon Gashi ,në emër të Ambasadës së Shqipërisë, falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesmarrjen, gjithashtu edhe z. Berisha, në emër të Konsullatës së Kosovës, u nda shumë i kënaqur me këtë organizim ku ndër të tjera ka thënë: “Në prag të përvjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, kishim nderin të marrim pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër në PBZ Bibliotek Hardau.
Ky event i veçantë përfshiu shfaqjen e filmit “Nëntori i Dytë” dhe një ekspozitë të pasur me materiale historike, që na rikthejnë në momente kyçe të luftës për liri dhe pavarësi”.
Muaji nëntor, në gjithë shtetin helvetik, ka shumë manifestime dhe do të mundohemi që disa prej tyre ti pasqyrojmë në platformën mediale HelveticALForum.ch
HelveticALForum.ch
Foto nga Florim Useini