Kalova disa orë të bukura me studentë dhe pedagogë të Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër, në një aktivitet që u moderua me profesionalizëm nga pedagogia Elinda Dibra. Në sallën e madhe të bibliotekës u bënë shumë pyetje që lidheshin me gazetarinë, librat biografikë dhe kërkimin në arkiva.
Ishte vendi i duhur, sepse kjo bibliotekë ka edhe një arkiv dinjitoz, i cili vlen të vizitohet nga gjithkush që dëshiron të bëjë kërkime. Librat dhe arkivi janë të prekshëm për lexuesin, lehtësisht të shfrytëzueshëm.
I kam vizituar disa herë bibliotekat e Shkodrës gjatë kërkimeve të mia. Aty ka koleksione të mrekullueshme, disa prej të cilave janë tani online. Pasioni për kërkimin historik fle tek shumë studentë dhe njerëz të tjerë, por ai duhet ndezur dhe inkurajuar. Shqipëria është e pashoqe për nga thesaret e historisë që fsheh. Ne thjesht duhet të mundim frikën dhe të kërkojmë. / Nga Ilir Ikonomi