Muaji i bekuar i Ramazanit sjell me vete paqe, solidaritet dhe vlera të larta shpirtërore. Në këtë frymë, në xhaminë e Glarusit në Zvicër, u organizua një iftar i veçantë, ku miqësia dhe bashkimi ishin në qendër të vëmendjes.
Në këtë tubim të ngrohtë, i pranishëm ishte edhe kryetari i Rrjetit të Miqësisë, z. Meti Krasniqi, i cili me disa fjalë përshkroi këtë mbrëmje si një moment të paharrueshëm.
“Ishte një natë e mbushur me harmoni dhe vlera të larta njerëzore. Të gjithë së bashku, pa dallime, ndamë ushqimin, mirësinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Kjo është fuqia e vërtetë e Ramazanit – afrimi i zemrave dhe forcimi i lidhjeve tona shpirtërore dhe njerëzore,” – u shpreh ai.
Iftari i organizuar në xhaminë e Glarusit nuk ishte vetëm një shtrirje e sofrës së bollshme, por mbi të gjitha një reflektim mbi rëndësinë e unitetit dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Pjesëmarrësit ndanë momente të veçanta, duke kujtuar rëndësinë e këtij muaji të shenjtë si një periudhë reflektimi, falënderimi dhe mirësie. Ja sa se si e përshkruan, z.Krasniqi:
“Ngjarje të tilla tregojnë fuqinë e komunitetit dhe rëndësinë e mbështetjes reciproke, veçanërisht në një vend si Zvicra, ku shqiptarët janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin përmes besimit, kulturës dhe traditave të tyre.
Pata nderin dhe kënaqësinë që, sipas traditës sonë të Rrjetit Miqësisë, të ftoja miqtë për iftar dhe njëkohësisht të vizitonim xhaminë e Glarusit me kryetar Shemsedin Ramadani dhe me imamin e nderuar, Halil Avdulli.
Ishte një pritje vëllazërore dhe e ngrohtë, me një staf, kryesi dhe xhemat të mrekullueshëm. Gjatë kësaj mbrëmjeje të veçantë, diskutuam mbi aktivitete fetare dhe kombëtare, gjithmonë me synimin për të mirën e shoqërisë sonë. Nuk munguan as ilahitë në shqip, duke e bërë atmosferën edhe më të ndjerë dhe shpirtërore. Ishte gjithashtu kënaqësi të takonim mysafirë nga xhami të tjera, të cilët e pasuruan edhe më shumë këtë tubim.
Një falënderim i veçantë për miqtë që pranuan ftesën dhe ndanë këtë mbrëmje të paharrueshme me ne: Shaqir Alushaj, Florim Useini, Visar Robelli, Nadi Zendeli, Ibrahim Çekaj dhe Bekim Izeri.
Ne vazhdojmë me përkushtim të lobojmë për krijimin e lidhjeve të reja dhe mbetemi të bindur se miqësia është një nga faktorët kryesorë të bashkimit të shqiptarëve!
Me respekt dhe mirësi
Meti Krasniqi
Kryetar – Rrjeti i Miqësisë