U zhvillua në Korçë ceremonia e ndarjes së çmimeve të Olimpiadës XIX ballkanike studentore të Matematikës, që u organizua për herë të parë në Shqipëri, me pjesëmarrjen e 111 studentëve nga 27 universitete të vendeve të rajonit.
Studentët pjesëmarrës u testuan në njohuri të avancuara matematikore, duke sfiduar njëri-tjetrin në një konkurs të nivelit të lartë akademik.
“Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për universitetin tonë. Kemi një departament të fuqishëm të matematikës dhe kishim kënaqësi ta organizonim sa më mirë këtë olimpiadë”, u shpreh Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit “Fan S. Noli”.
“Pjesa më e rëndësishme është përgjegjësia e testit dhe krijimi i standardeve dhe kushteve për studentët. Rëndësi ka edhe koordinimi që sjellë edhe finalizimin me sukses të gjithë kësaj olimpiade”, tha Dr. Adrian Naço, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës. Në këtë olimpiadë u nderuan me medalje 70 studentë, prej të cilëve 11 u vlerësuan me medalje të artë, 23 me medalje argjendi dhe 36 me medalje bronzi. Ky event u organizua nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikës së Evropës Juglindore dhe Shoqatën Shqiptare të Matematikës./ Eftjola Fili, rtsh.