Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ka shtyrë për herë të dytë shpalljen e nominimeve të çmimeve Oscar për këtë vit për shkak të zjarreve të vazhdueshme në Los Anxhelos , të cilat kanë marrë 24 jetë dhe kanë shkaktuar shkatërrime të rënda.
Sipas organizatorëve, nominimet për nderimet më të larta të industrisë së filmit do të shpallen më 23 janar. Ato fillimisht ishin caktuar për të premten në 10 janar dhe më pas u zhvendosën në 19 janar.
“Për shkak të zjarreve që janë ende aktive në zonën e Los Anxhelosit, ne besojmë se është e nevojshme të zgjasim periudhën tonë të votimit dhe të lëvizim datën e shpalljes së nominimit tonë për t’u dhënë anëtarëve tanë kohë shtesë,” tha drejtori i Akademisë Bill Kramer dhe Presidentja e Akademisë Janet Young.
Akademia gjithashtu anuloi drekën e saj vjetore të kandidatëve për Oscar, e cila ishte caktuar për në 10 shkurt. Transmetimi televiziv i Çmimeve të Akademisë është planifikuar të zhvillohet në 2 mars. Sa i përket ndarjes së çmimeve Grammy, organizatorët thanë se ceremonia do të zhvillohet siç ishte planifikuar në 2 shkurt. “Sidoqoftë, shfaqja e këtij viti do të ketë edhe një qëllim specific, të mbledhë fonde shtesë për të mbështetur përpjekjet e zjarrfikësve dhe për të nderuar guximin dhe përkushtimin e njerëzve që rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur tonat”, thanë zyrtarët e Akademisë së Diskografisë, në një letër drejtuar anëtarëve, njofton oranews.