/ Nga Qemal MUSLIU /
Kaloi një shekull e ca vite kohë, 112 vite, nga shpallja e pavarësisë së shtetit amë, Shqipërisë, si dhe 16 vite nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës – Dardanisë. Emërtimet e vendbanimeve dhe territoreve (toponimet) thirren edhe më me emërtimet e huaja. Thua se këto emërtime janë të pikura nga qielli apo autoktone. Madje shumë nga këto emërtime kanë kuptim fyes dhe banal në gjuhën shqipe. Si për shembull: Peqin, Muçigllavë, Muçibabë, Muçivërcë, Gjylekar, Kurvelesh, Novosellë, etj.
Kush duhet të bëjë ndryshimin dhe emërtimin me emra autoktonë dhe në përputhje me kulturën dhe kuptimin në gjuhën e vendit?
Sigurisht se institucionet përkatëse, banorët dhe kush tjetër?
Kjo mospërfillje, përtaci apo paaftësi, pa inat nacional, flet shumë dhe mbanë çka do që të thuash.
Si rrjedhim i këtyre anomalive, shtrohet një pyetje e madhe, a nuk kemi kuadro të shkolluara në qeveri, ministri, kuvende, madje edhe gati në çdo shtëpi?!
JO, JO. Të gjitha i kemi. Gati, të gjithë këta paguhen dhe marrin rroga, me të cilat mbajnë familje, madje llogariten si të privilegjuar. Shumë nga këta krenohen për pozitat dhe titujt që i mbajnë: ministër, deputet, kryetar, prof. dr. etj. Turp i turpit!
A kemi inat, a kemi respekt për vendin, për kulturën, për trashëgiminë, për të vërtetën e pamohueshme, për autoktoninë, a nuk e duam gjuhën dhe kulturën nacionale?!
Shpresoj që ky shkrim, jo shumë i formuluar si dinë dhe munden të lartpërmendurit, së paku të i ngacmojë dhe të marrin iniciativën për ndryshimin dhe emërtimin përshtatshëm dhe në harmoni me kuptimin, kulturën dhe me autoktoninë.
Madje, për çudi, si lejojnë banorët e këtyre vendeve ku jetojnë, të i shkruhen këto emërtime çoroditëse, të turpshme dhe fyese, në të gjithë dokumentet personale ?! A nuk turpërohen nga familjarët?! Thua se nuk kanë persona që dinë shkrim e lexim SHQIP në këto vendbanime ?!
Para disa viteve, unë bëra një hap në këtë drejtim aty ku jetoj. I emërtova gjitha vendbanimet me emra shqip dhe të përshtatura nga faktorët dhe elementet e ndryshme që i ka ai vend apo vendbanim. Psh. Kumanovën e emërtova ‘Qyteti Dielli’; Llojanin ‘Ujë Bardhi’; Vaksincën ‘Guri’; Sllupçanin ‘Muri’; etj. Por nuk pata përkrahje dhe u tërhoqa nga kjo ide. Sidoqoftë, kur vendoset në institucione, ka tjetër kuptim.
Në Shqipëri, kush i pengon? Askush. Po në Dardani (Republika e Kosovës) mundet të jetë KFOR apo UNMIK, por edhe këtu, me iniciativë dhe me kuptim të plotë, nuk besoj se do të ketë pengesa. Të merret iniciativë dhe t`i heqin këto emërtime të turpit, njëherë e përgjithmonë.
Me këto emërtime të sotit bëhet humor e tallje në portalet e ndryshme nga personat e ndryshëm, por me shumë të drejtë. Emërtimet e reja askush nuk do të i kundërshtojë, madje, çdo kush i pranon dhe është mirënjohës për një veprim të tillë. / Cyrih CH/ 07.12.2024
Enkas për:
www.helveticALforum.ch