Sëmundjet që prekin zemrën e njeriut po shtohen vrullshëm, por nëse dikur mosha e personave të prekur nga problemet kardiovaskulare ishte relativisht e lartë, sot ky trend ka ndryshuar. Në Elbasan, kardiologët tregojnë se është ulur mosha e personave që shfaqin probleme të tilla. Bluzat e bardha tregojnë se janë shtuar të rinjtë deri në 30 vjeç me sëmundje që prekin zemrën.
“Kohet e fundit është vënë një rritje e numrit të pacienteve tek moshat e reja 20 deri në 30 vjeç. Pse ndodh kjo, kush janë shkaqet? Shkaku kryesor është mënyra zedentare e jetesës, mumgesa e lëvizjes, mungesa e aktivitetit fizik. Konsumimi i duhanit, konsumimi i alkoolit, konsumimi i pijeve energjike pa kriter si edhe konsumimi i substancave narkotike që kohët e fundit është i përhapur tek moshat e reja”, tha Saimir Shehu, kardiolog.
Kardiologu i spitalit të Elbasanit rendit faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet ishemike të zemrës.
“Faktorët e riskut janë mosha, me rritjen e moshës shtohet risku i sëmundjeve kardiovaskulare, është hipertensioni, sëmundje mjaft e përhapur e cila përbën risk sidomos për sëmundjet koronare. Është duhanpirja faktor shumë i rëndësishëm risku, dhe diabeti një faktor risku për shtimin e të sëmurëve që janë zakonisht të sëmurë kronik”, shtoi kardiologu.
Mjekët kërkojnë nga qytetarët që të mos neglizohen shenjat e para.
“Nuk duhen neglizhuar ankesat që kanë pacientet, si ankesat nga ana e zemrës duhet të marrin masa paraprake, sepse të parandalosh një sëmundje është me e lehtë sesa ta mjekosh. Ankesat kryesore janë dhimbje gjoksi, mpirje të krahut ose mpirje të pjesës së poshtme të nofullës”, shpjegoi Shehu.
Sipas të dhënave të INSTAT “Sëmundjet kronike të zemrës” janë shkaktar i 42,2 % të vdekjeve pasuar nga “Sëmundjet ishemike të zemrës” me 22,3 % të fataliteteve, njofton euronewsal.