/ Nga PhD.Xhavit LIPAJ /
Padrejtësia në këtë jetë është si një hije e ftohtë,
Që të ndjek pas, pa zë, pa fytyrë,
Ajo nuk pyet për ëndrrat e tua,
As për lotët që derdh,
as për betejat që ke fituar.
Shikon të pafajshmit të mbyllen në pranga,
Shpirtrat që digjen nga fjalët e liga,
Dhe pyes veten, ku është drejtësia?
Ku janë ato duar që duhet të na mbrojnë?
Kur ti lufton me shpirt të pastër,
Padrejtësia të godet si stuhi që vjen papritur.
Ajo mbjell dyshime,
ndërton mure të padukshme,
Dhe ti ndihesh i mbyllur, i vetëm, i humbur.
Ndonjëherë edhe kur e di se ke të drejtë,
Ajo të ndalon frymën, të mbyt në heshtje.
Të quajnë të huaj, të përjashtuar,
Dhe ty nuk të mbetet gjë veçse të heshtësh, të shikosh.
Por në thellësi të shpirtit, një zë ngrihet,
Një forcë që padrejtësia nuk e shuan dot.
Se njeriu që jeton me të vërtetën në zemër,
Nuk thyhet kurrë, sado që bota ta shpërfillë.
Padrejtësia është si një plagë që s’mban arsyen,
Por ti je më i fortë se ajo,
Se në çdo dhimbje,
në çdo pengesë,
Ke gjetur forcën të ngrihesh sërish,
pa u dorëzuar.
Ata që hedhin gurë, nuk e dinë,
Se shpirti yt është një mal i lartë,
Se zemra jote, sado e plagosur,
Ka një dritë që asnjë hije nuk mund ta fshehë.
Padrejtësia në këtë jetë do të mbetet gjithnjë,
Por ti je ai që zgjedh të mos përkulesh.
Me çdo hap që hedh,
me çdo betejë që fiton,
Ti e di që drejtësia,
një ditë, do të lindë sërish.