Jeton ARIFI, M.A.
Fjalimi i Winston Churchillit në Kolegjin Westminster në Fulton të Missourit shënon thellimin e tensioneve midis demokracive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik, gjersa aleanca e lidhur gjatë luftës ishte kthyer në armiqësi të llojit të vet në kohë paqeje.
Trungu i këtij shkrimi, në thelb, shpalosë vështrim analitik autorial të fjalimit historik të Churchillit, përmes të cilit e përcolli porosinë, jo vetëm para auditoriumit të këtij universiteti, por përmes tyre, edhe para çdo qytetari të kontinentit të ri e më gjerë, mbi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëveprimit anglosakson ndaj armikut të përbashkët që po kërcënonte qytetërimin e hemisferës perëndimore.
Përderisa fjalimi i tij njihet si fjalimi i ‘Perdes së Hekurt’, me plot të drejtë konkludohet se ai, në fakt, shënon fillimin e Luftës së Ftohët.
Vështrim Analitik mbi Fjalimin e ‘Perdes së Hekurt’
Fjalimi i Churchillit rreth ‘Perdes së Hekurt’ në Fulton të Missourit, i mbajtur më 5 mars 1946, të cilin ai vet e kishte titulluar ‘Fuqia Lidhëse e Paqes’, ishte një përpjekje e madhe për të promovuar edhe një kombinim të sforcuar anglo-amerikan dhe një front më të fortë perëndimor kundër Bashkimit Sovjetik. Në muajt midis disfatës së tij zgjedhore dhe fjalimit të tij në Fulton, ai e kishte përcjellë konsolidimin sovjetik në Evropë me një shqetësim të vazhdueshëm, sigurisht të dyfishuar me dëshpërim nga pamundësia e tij për të bërë shumë rreth kësaj.
Duke mos e pasur fuqinë qeverisëse tashmë, kam përshtypjen se Winston Churchillit i mungonte besimi i fortë te pasardhësi i tij (Clement Atlee) në Britani për të qëndruar i palëkundur ndaj sfidave që po e prisnin bllokun demokratik perëndimor, ai vendosi që këtë mesazh ta përcillte nga një qytezë e ShBA-së së pasluftës, nga ku ai priste që të dilte një energji e re politike për ta marrë përsipër rolin udhëheqës në arenën ndërkombëtare. Në fakt, sipas të gjitha gjasave, Churchilli ishte ftuar të shkonte në Fulton nga Trumani, që do të thotë se nuk kishte qenë ideja e tij që një fjalim të tillë ta mbante pikërisht aty.
Sidoqoftë, kjo ftesë presidenciale për të mbajtur fjalim në një kolegj amerikan do të mund ti siguronte atij një mjet për të shtyrë përpara linjëveprimet politike, në të cilat ai besonte. Efekti i fjalimit, sigurisht që mund të mbivlerësohet, por pavarësisht dështimit të tij për të krijuar atë rreshtimin shumë të afërt, për të cilin Churchilli shpresonte ta bënte me Shtetet e Bashkuara, ai padyshim që i kontribuoi përforcimit të pozitave perëndimore ndaj sovjetikëve.
Ky fjalim i Churchillit është një pjesë e oratorisë klasike, me gjuhë të rëndë letrare dhe imagjinare. Fraza ‘kontrolli totalitar’ nga fjalimi i ‘perdes së hekurt’ u bë shumë e njohur dhe pjesë e fjalorit politik të asaj kohe, gjersa ai përshkruante se si kapitalet dhe shtetet e dikurshme të Evropës Qendrore dhe Lindore po binin në kontrollin e thellë sovjetik. Mes tjerash, ai i tërhoqi vërejtjen auditoriumit se shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik ishin ‘qeveri policore’, ku partitë komuniste po kërkonin të fitonin kontroll totalitar.
Fraza ‘koncept i përgjithshëm strategjik’ përsëritet mjaft brenda fjalimit të tij, duke iu referuar një linjëveprimi ushtarak amerikan, në saje të të cilit do të instalohej logjika e sigurisë kolektive anglosaksone, si mburojë ndaj sulmeve të mundshme që do të mund t’i trokisnin hemisferës perëndimore nga fuqitë lindore të globit.
Përmes këtij koncepti, Churchilli e paralajmëron idenë e krijimit të organizatës veri-atlantike, që do të vinte si produkt i një traktati tri vite pas këtij fjalimi, përmes të cilës do të garantohej paqja e përgjithshme. Madje, ai e thekson qartazi nevojën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të ngritur më pak se një vit më parë, për të pasur forcën e vet të armatosur ndërkombëtare, për krijimin e së cilës bënte thirrje që të fillohej puna konkrete menjëherë. Këtë koncept, ai e elaboron më tej në saktësisht në tekstin vijues të këtij fjalimi, por pa e përmendur akronimin NATO.
Ai paralajmëron një marrëdhënie të veçantë të Britanisë me Shtetet e Bashkuara, që do të vazhdonte të ishte një ndikim i fuqishëm dhe shpesh kundërthënës mbi politikën e jashtme të Britanisë. Winston Churchill kishte theksuar se çlirimi i Evropës, i jetësuar më shumë se një vit para këtij fjalimi, nuk kishte sjellë atë zgjidhjen për të cilën kishin shpresuar shumica e vendeve perëndimore. Ai theksoi edhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, që do të vinte si domosdoshmëri e kohës për të zgjeruar një aleancë pro-perëndimore, e cila do të mund ti bënte ballë shtrirjes së ideologjisë komuniste. Duke parandjerë nevojën e Kombeve të Bashkuara për një intervenim të mundshëm ushtarak si dhe për një përforcim të lidhjeve brendapërbrenda Evropës Perëndimore, Churchilli, besoj të ketë dashur t’ua hapte sytë shteteve me orientim pro-perëndimor për rrezikun që po u kanosej, ndaj të cilit nuk përjashtohej edhe konflikti i hapur, si reagim racional i kohës.
Mes tjerash, brenda fjalimit të tij, duke mbrojtur idenë e bashkimit të demokracive perëndimore, ai propozonte që secila nga fuqitë dhe shtetet duhet të ftohej të delegonte një numër të caktuar të skuadriljeve ajrore në shërbim të organizatës botërore. Këtu vihet re qartë vizioni i tij për themelimin e NATO-së, e cila u ngrit si strukturë, vetëm tri vite pas këtij fjalimi.
Elementi leksikor ‘vëllazëri’, i përdorur nga autori i këtij fjalimi, të bën ta rimendosh vështrimin kritik të një autori të referencuar brenda kësaj analize lidhur me personalitetin e panjohur të Winston Churchillit, sipas të cilit, burrështetasi anglez, i cili sapo kishte rënë nga pushteti, në thelb kontrollohej nga një strukturë e trashëguar historike, duke funksionuar si ‘Vëllazëria e Babilonisë’, e cila vazhdon ta kontrollojë botën nga ‘nëntoka’ përmes lidhjeve të fshehta me elitën udhëheqëse të çdo vendi, agjenda e të cilës është krijimi i një qeverie botërore, të cilën edhe sot, aq shpesh, e hasim nën termin ‘Rendi i Ri Botëror’.
Thirrja e Churchillit për krijimin e një komuniteti anglisht folës, duke aluduar këtu në lidhjen e natyrshme e tradicionale të Britanisë së Madhe dhe ShBA-së, synonte veprimin e përbashkët për zmbrapsjen e një zgjerimi të mundshëm të ndikimit të Bashkimit Sovjetik. Këtu, s’do mend që Churchilli mendonte në pretendimin e sovjetikëve për shndërrimin e Gjermanisë Lindore në vendin më të ri komunist në Evropë. Mundësia e përdorimit të ‘mjeteve efektive të frikësimit’ ia shtonte optimizmin atij që kjo sfidë, me të cilën do të përballeshin bartësit e vlerave demokratike perëndimore, do të përfundonte me ngadhnjimin e kësaj aleance të qëndrueshme euroatlantike, duke e nënkuptuar përdorimin e mundshëm të bombës atomike, tmerrin e së cilës e kishte përjetuar në lëkurën e tij vendi i fundit nazist në botë.
Sidoqoftë, ‘mjetin e frikësimit’, respektivisht armën nukleare, ai e mendonte si monopol të botës anglosaksone, duke shprehur mosbesim ndaj vendeve tjera, jashtë kësaj hemisfere, si pjesë e aleancës më të madhe politike të planetit.
Këtë fakt e njihte shumë mirë Bashkimin Sovjetik, dhe pikërisht kjo duket të ketë qenë ‘letra e fundit’ që do të përdorej nga ‘anglofonët’ si paralajmërim se Evropa nuk do lejonte kurrë të shndërrohej në vatër të komunizmit.
Parandjenja e tij, e shprehur në pjesën e fundit të këtij fjalimi historik, për ardhjen e një lufte të re, të cilën e shihte si të pashmangshme dhe të afërt, në thelb, nuk ishte gjë tjetër, pos parapërgatitje e publikut anglisht folës, por edhe më gjerë, se Lufta e Ftohët, veç sa s’kishte filluar.
Jo rastësisht, ai ‘skicon’ perden e hekurt, duke përmendur kryeqytet e shteteve ‘policore’, të cilat kishin rënë nën ndikimin sovjetik, si: Varshavën, Berlinin, Pragën, Vjenën, Budapestin, Beogradin, Bukureshtin e Sofjen.
Është fakt i pamohueshëm se ky fjalim i definoi marrëdhëniet e pasluftës me Bashkimin Sovjetik për qytetarët e demokracive perëndimore, edhepse në fillim provokoi një polemikë të thellë në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, kritikat shpejt u zmbrapsën karshi pajtimit të gjerë publik për të kundërshtuar imperializmin sovjetik.
Churchilli ishte parashikues i saktë i ngjarjeve që do ti jepnin formë Evropës për 45 vitet e ardhme. Mbase kjo dëshmon edhe qasjen e tij eventuale, të drejtpërdrejtë, ndaj informacioneve apo projekteve të fshehta, për të cilat, publiku i gjerë botëror nuk e ka idenë.
Pohimi i Churchillit se sovjetikët ishin të prirur për t’u zgjeruar ishte i vërtetë, siç ishte edhe besimi i tij se veprimtaritë komuniste të popujve përreth botës po financoheshin nga Moska. Në fund, edhe historianët i dhanë të drejtë Churchillit. Fjalët e tija ishin të vërteta, ato thjesht iu drejtuan një kombi, i cili ende nuk ishte i gatshëm ta pranonte realitetin.
Në vend të përfundimit, do të shtoja që fjalimi i Churchillit në Kolegjin Westminster, i cili mund të cilësohet edhe si porosi e qartë për botën e qytetëruar perëndimore për rrezikun që po i kanosej, por edhe si projekt afatgjatë i linjëveprimit politik që duhej ndjekur hemisfera antikomuniste. Rezultati i këtij fjalimi bëri që për gati gjysëm shekulli, zhvillimi dhe bashkëpunimi dypolar të numëronte në vend, por merita e tij qëndron në faktin se ai ndikoi që bota të mos numëronte prapa, duke lejuar depërtimin edhe më të thellë të ideologjisë komuniste.