Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në SPAK në përputhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, që vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj.
Para SPAK-u, janë mbledhur edhe militantë të Partisë Demokratike, të cilët protestuan kundër kësaj mase.
Pas paraqitjes, Berisha ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, për abuzim me detyrën dhe për mbyllje të dosjeve të krimeve elektorale. Ai ka akuzuar Dumanin se bashkëpunon me krimin dhe e ka quajtur atë si “kryekriminel elektoral”.
“Organizata kriminale SKAP-i i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berisha t‘i rikthehet “arresti në shtëpi” për shkak se jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët dhe këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këto kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me të, vendosin të behet xhelatë të fjalës së lirë. Sali Berisha i ka sulmuar dhe do i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin, dhe kurrë njerëz të ndershëm që bëjnë ligjin. Do faktoj se si Dumani flenë mbi dosje krimi. Dumani është kryekriminel elektoral se ka mbyllur të gjithë dosjet e krimit monstruoz elektoral. Unë gjeta aty McGonigal që po i bënte kurs dhe po trajnonte Altin Dunamin. Gjeta aty Lali vjedhësin, por rrihej me kolegët”, tha Berisha.
Para SPAK, Berisha hodhi akuza edhe ndaj ministrave se po ndikojnë në sistemin e drejtësisë dhe po bashkëpunojnë me bandat kriminale për të blerë vota.
“Gjeta Ulsiun, zihej me Dumanin për çantën Louis Vuitton. Se Ulsiu, pasi mori një pagesë të madhe, shumë i kërkon çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai, për kë e do çantën? Nuk po e vazhdoj bisedën se është intimitet familjar. Në datën 10.2 2020 target është njëri nga banditët e Elbasanit informon se kishin rënë dakord , mes tyre që të mos i kërkonin Taos tenderë publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord t’i kërkonin. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao i përgjigj: A garantoni se të gjithë ata njerëz do votojnë nëse vendosim në listë ata që doni në burg. Përgjigja ishte: Po e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tao është fiks Taulant Balla, një kriminel njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Në listë, me datën 24 mars bëri check up të vitit 2021, u arrestuan Çapjat. Me kërkesë të Çelëve u arrestuan. Kjo është e vërteta”, tha Berisha. Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij lidhur me ish kompleksin Partizani. /rtsh.al/