/ Nga Shkodran TOLAJ, këngëtar i njohur /
Me ndjenjën e një krenarie të thellë dhe me përgjegjësinë e një qytetari të përkushtuar, mora pjesë në protestën paqësore “Rojet e Gjuhës”, e cila u zhvillua nga 8 deri më 11 dhjetor 2024. Kjo nismë madhështore për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut përfaqësonte më shumë se një protestë – ajo ishte një akt qytetarie dhe një mesazh uniteti kombëtar.

Në këto ditë të rëndësishme, anulova të gjitha angazhimet personale për të qenë pjesë e kësaj kauze. Pjesëmarrja ime nuk ishte si artist, as si ish-drejtor, por si qytetari më i thjeshtë i kësaj toke, duke ndarë të njëjtën dashuri dhe vendosmëri me bashkatdhetarët e mi. Për tri netë me radhë, qëndruam krah për krah, duke treguar me dinjitet se mbrojtja e gjuhës shqipe është një çështje e përbashkët, që kërkon përkushtim dhe solidaritet.
Jam jashtëzakonisht i impresionuar nga të rinjtë e mrekullueshëm që takova gjatë këtyre ditëve, nga Kumanova deri në Prespë. Energjia, entuziazmi dhe vendosmëria e tyre janë dëshmi se e ardhmja e këtij vendi është në duar të sigurta.
Kjo protestë na kujtoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave tona kulturore dhe gjuhësore, duke dëshmuar se gjuha është themeli i identitetit tonë kombëtar. Mesazhi që lamë pas është i qartë: bashkë mund të arrijmë çdo qëllim, duke ruajtur dinjitetin dhe kulturën tonë, gjithmonë me qasje paqësore dhe vizion të përbashkët për të ardhmen.