Memorandumi i Bashkëpunimit për shkëmbimin të kadetëve, i arritur në dhjetor të vitit të kaluar ndërmjet FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror të Kanadasë, tashmë ka filluar të jetësohet në praktikë.
Katër kadetë kanadezë që nga janari janë po i ndjekin studimet në Qendrën e Studimeve Universitare në Akademinë e Mbrojtjes të FSK-së. Në të njëjtën kohë, dy ushtarë të ushtrisë së Kosovës po i ndjekin studimet në Kanada. Krejt kjo nga ushtarakët e Forcës, po shihet si hap tejet i rëndësishëm në zhvillimin e njohurive dhe aftësive të personalit ushtarak të Kosovës.
Në Qendrën për Studime Universitare, për herë të parë që nga janari i këtij viti, 4 kadetë nga Kanadaja studiojnë në ushtrinë e Kosovës. Pas zgjimit, himni shtetëror është një simbol i detyrës dhe betimit që ata kanë marrë për të shërbyer dhe mbrojtur atdheun.
Si i tillë, ai nderohet çdo mëngjes nga kadetët e Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint Jean të Kanadasë dhe ata të Forcës së Kosovës.
E ajo që praktikohet në terren duhet paraprakisht të mësohet fort në teori. Komunikimi është interaktiv ndërmjet instruktorëve dhe kadetëve, me qëllim të aftësimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm në përmbushjen e misionit të cilin e kanë zgjedhur.
E gjitha ajo që është dëgjuar gjatë ditës nga ligjëruesit, përsëritet, studiohet e mësohet nga kadetët kanadezë dhe ata të FSK-së.
Si i tillë, bashkëpunimi ndërmjet të dyja shteteve vlerësohet lart.
“Në ditët e para u informuam pak a shumë mbi rregullat se çfarë bëjnë njerëzit këtu, ku është baza, ku janë dhomat dhe që nga atëherë ishte një përvojë e mrekullueshme me këtë program shkëmbimi kulturash. Ka të bëjë edhe me atë se si i bëjnë këtu gjërat, gjithashtu nga një këndvështrim ushtarak, por edhe në atë civil”, tha për RTK-në Jeremie Morneau, kadet i Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint Jean të Kanadasë.
“Kishim një përvojë të mrekullueshme me FSK-në dhe mendoj se dy gjërat më të rëndësishme për Kosovën janë njerëzit dhe moti. Sinqerisht, nuk jam ndier kurrë më i mirëpritur në ndonjë vend tjetër sesa këtu. Vitin e kaluar isha këtu dhe qëndrova për një javë së bashku me FSK-në, ku e kisha plotësisht të njëjtën përvojë, prandaj vendosa të vija sërish”, tha Jonathan Bonnet, po ashtu kadet i Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint Jean të Kanadasë.
E derisa kadetë kanadezë po studiojnë në FSK, në të njëjtën kohë dy ushtarë të ushtrisë së Kosovës janë duke i kryer studimet në Kanada. Dhe krejt kjo po bëhet në kuadër të memorandumit të shkëmbimit ndërmjet kadetëve të FSK-së dhe atyre kanadezë.
“Ky shkëmbim do të jetë një përvoje e re për ne si kadet duke na ofruar përvoja të reja”, tha Endrit Nura, kadet, i cili po ndjekë studimet në Kolegjin Ushtarak në Kanada.
“Sistemi akademik kanadez është pothuajse i ngjashëm me atë të Kosovës”, tha Dardan Syla, kadet, i cili po ashtu po ndjekë studimet në Kolegjin Ushtarak në Kanada.
Por, cila është rëndësia e këtij programi të dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.
“Ideja e programit shkëmbimor është që disa kadetë kanadezë vijnë për një semester të plotë dhe ndjekin shkollim ushtarak qysh e kemi ne për kadetët tanë. Mbi të njëjtin parim disa kadetë të QSU-së janë momentalisht në Kanadë dhe janë duke e ndjekur studimin e tyre ushtarak atje”, tha Mimoza Budeci, komandante e Qendrës për Studime Universitare, Akademia e Mbrojtjes.
Krejt kësaj marrëveshjeje që është realizuar për herë të parë, i kishte paraprirë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit për Shkëmbimin e Kadetëve ndërmjet komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint-Jean të Kanadasë, njofton rtk.