26 vjet nga Masakra e Reçakut, Begaj: Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës
Ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre. Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, President Begaj nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezistuan gjenocidit serb për lirinë e Kosovës.
Kreu i shtetit njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj Amabsadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.
“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, – shkruan presidenti në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë.
“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.
Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj. Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj!
Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, – shkruan Begaj.
Kosova shënon sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, njofton rtsh.