Për një ditë, tre takime shumë të rëndësishme në Bern të Zvicrës. Atdhetarët e këtij grupi nismëtar nuk po ndalen. Dikush nga Lugano e disa të tjerë nga katër anët e Zvicrës po punojnë me zemër për projektin. Tre ambasadorët në Bern, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut do ta përkrahin edhe në vazhdim. Këta atdhetarë që ishin në këto tre takime, përcollën edhe falenderimet e artistëve, krijuesve, atdhetarëve të tjerë që ishin atë ditë në Morcote, ku u nis projekti, por edhe zërin e 400.000 shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, dhe të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen ata.
„Shikon, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit”. Janë fjalët e aktorit të madh Aleksandër Moisiu. Dje, më datë 11.11.2024 ishte një ditë e mbushur me shumë aktivitete. Adem Kicaj, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, Rafet Ademi dhe shumë të tjerë, me mundësitë e tyre nuk po ndalen për t’a realizuar projektin e nisur dhe të përkrahur edhe nga i pari i Komunës së Morcotes, z. Giacomo Caratti dhe Sekretarin z. Luca Cavadini.
Vendi është caktuar se ku do të instalohet dhe bashkëkombësit tanë janë të njoftuar përmes platformës tonë mediale dhe disa mediumeve të shkruara dhe atyre televizive. Ky grup nismëtar realizoi dje tre takime të rëndësishme me përfaqësuesit tanë në Zvicër nga Ambasada e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ishte vendosur nga grupi nismëtar se projekti në fjalë, mirë do të ishte të prezantohej tek ambasadat tona, u prezantua dhe morën përkrahje.
Tani, pasi është vendosur, pra është marrë leje për ta instaluar bustin e Moisiut, ata shkuan për t’a ndarë gëzimin me ambasadorët dhe për të marrë sugjerime për hapat tutje. Takimet nisën në ora 10.00 tek Ambasada e Kosovës, ku u mirëpritën nga Ambasadori, Shkëlqesia e Tij, z. Mentor Latifi dhe zonja shumë e nderuar zv. Ambasadore, Shukrije Ramadani. Meqë është e pamundur që të jenë të gjithë ata që janë nismëtarë përmes nënshkrimeve që u nisën në Morcote, ky grup punues nuk është ndalur nga korriku i këtij viti, duke punuar që të jetësohet sa më shpejt.
Është Adem Kicaj, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, Rafet Adem, Përparim Sabriu dhe Dashnim Hebibi, të cilët kanë realizuar disa takime, duke gjetur mundësi që sa më shpejt dhe mirë ta jetësojnë projektin. Ky grup i veprimtarëve po përcjell zërin e shumë atdhetarëve që ishin po atë ditë në Morcote, në korrik të 2024, si Sylë Mujaj, Luljeta Dragidella e shumë të tjerë.
Me një fjalë, të gjithë bashkëkombësit tanë, por jo vetëm për ne shqiptarët, por për të gjithë artistët dhe artdashësit, sepse dihet që Moisiu ishte shqiptar, por ushtroi profesionin e tij për gjithë Evropën dhe botën. Shkëlqesia e Tij, z. Mentor Latifi dhe zonja Shukrije Ramadani, zv. Ambasadore, mirëpritën në ambasadë personat në fjalë dhe morën sugjerime për hapat e mëtejme. U njoftua ambasadori se ku është vendi i caktuar, pritja e të parit të Morcotes dhe krejt në fund të këtij takimi u kërkua që edhe shteti i Kosovës të marrë pjesë që të jetësohet projekti i nisur. Takimi ishte shumë miqësor.
Aty në orën 12.00, ky grup vazhdoi takimin me Ambasadorin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e tij, z. Mustafa Nano dhe z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës. Edhe gjatë këtij takimi, mysafirët ndanë gëzimet për projektin e nisur dhe tash, në fazën e parë, për ta jetësuar. Natyrisht, morën përkrahje edhe për të ardhmen për përkrahje. Takimi i tretë ishte në orën 13.00 ku u mirëpritën nga Ambasadori i Maqedonisë Veriore, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri. Edhe ky takim ishte shumë miqësor dhe bashkëbiseduan me ambasadorin.
Aty morën, gjithashtu, përkrahjen e vazhdueshme dhe u falënderua përsëri ky grup nismëtar në Ambasadë për të ndarë arritjen e madhe për ‘ringjallja’ në bronz e aktorit me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Vlen të përmendet edhe miqësia e madhe e z. Demiri që këta veprimtarë i përcolli deri në oborrin e ambasadës. Diaspora shqiptare kurrë nuk ka qenë më e frymëzuar se sa tash, kur kanë lajmëtarët e shteteve në përkrahje. Nga këto tri takime, u pa se shtetet tona do të njoftohen përmes ambasadorëve dhe stafit të tyre që ky projekt të ndihmohet dhe të realizohet. Edhe qëllimi i këtyre veprimtarëve që ishin prezentë, ishte që të ndihmohet nga shtetet tona e jo në mënyrë individuale, por nëse nuk do të mundet kjo formë të shkojë, atëherë duhet gjetur mundësi të tjera, se dihet që mërgata jonë nuk është ndalur në shumë procese, por as që do të ndalet edhe në të ardhmen.
Megjithatë, duhet parë edhe kushtet e mundësitë se si do të jenë, por gjeneratë pas gjenerate, do ta ketë Moisiun në Morcote të Zvicrës, të këtij shteti mik të kombit tonë, i cili është atdheu i dytë i 400.000 shqiptarëve. Gjatë ditëve në vazhdim do ju njoftojmë me punën e nisur nga skulptori, arkitekti dhe i gjithë stafi i këtij projekti, mbi për ecurinë drejt finalizimit. ( Foto nga takimet )
HelveticAlForum, Bern, 11.11.2024