Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, priti sot Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë për rritjen e tregtisë dhe investimeve ndërkufitare, si dhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm ekonomikë, përfshirë bujqësinë, teknologjinë dhe industrinë.
Ambasadori Malaj theksoi rëndësinë e një integrimi më të madh të dy vendeve në nivele të ndryshme dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur iniciativat që promovojnë zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Kryetari Rafuna theksoi se OEK-u është e angazhuar për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe për promovimin e mundësive të reja për bizneset kosovare, duke ofruar gjithashtu mbështetje për një infrastrukturë më të fortë që nxit investimet.
“Ky takim ka shërbyer si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke hapur mundësi për projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve për biznes në rajon”, njofton OEK-u, njofton rtk.