Kërkesat e diasporës për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit janë rritur dhe numri sipas statistikave po shkon rreth 100 mijë. Që prej 11 janarit, kur dhe nisën regjistrimet në platformën elektronike të regjistrimit (PER), numri i kërkesave të miratuara ka kaluar 60 mijë.
Në kërkesat sipas gjinisë, rreth 59 mijë janë meshkuj dhe 38 mijë femra, shifër kjo që ditët e fundit ka njohur rritje. Në kërkesat sipas grupmoshave, 26–35-vjeçarët vijojnë të kryesojnë dhe si më pak të interesuar renditet grupmosha 18–25-vjeçare.
Italia vijon të qëndrojë në krye të listës për kërkesat sipas shteteve dhe në kërkesat sipas qarqeve kryeson Tirana, e ndjekur nga Fieri, Korça, Durrësi, Berati, Vlora etj.
Vihet re se numri më i lartë i kërkesave në PER u shënua më 19 janar, me 8.239 të regjistruar, ndërsa numri më i ulët më 14 janar, me 3.588 kërkesa. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, diaspora për herë të parë do të marrë pjesë, teksa fleta e votimit pritet t’i dërgohet me postë-rekomande nga KQZ-ja në javën e dytë të muajit prill, zarf ky që do t’i dorëzohet vetëm votuesit, jo familjarëve.
Platforma PER do të jetë e hapur deri më 4 mars dhe si dokumente nevojiten: kartë identiteti ose pasaportë shqiptare dhe një dokument që ngarkohet në sistem për të vërtetuar adresën e banimit./Melisa Shameti, rtsh.