Rexhepi: „Pavarsisht se cili kandidat do të fitojë, fituese do jetë ShBA dhe miqësia jonë e përjetshme“
Intervistë Ekskluzive me Kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, z. Agim Rexhepi
„E kam deklaruar, por mendoj që është mirë prapë ta rideklaroj se institucionet qendrore në Shqipëri, Kosovë dhe lobi ynë janë vonuar me përgatitjet për këto zgjedhje. Sipas meje, së paku gjatë vitit 2022 është dashur të fillohej koordinimi në formën e përkrahjes dhe se cilat do të ishin kërkesat tona ndaj tyre për përkrahjen që do t’ua bëjnë (materiale, vota…)“.
Z. Rexhepi, kanë mbetur edhe pak orë deri te zgjedhjet në ShBA. Si kryetar i Shoqatës ‘Miqtë e Amerikës’ dhe si miq të përbetuar të shtetit më mik të kombit tonë, si po i prisni ato?
Falemnderit për vlerësimin! Urime për krijimin e platformës mediale që e keni lancuar! Ju priftë e mbara! Që në fillim, uroj e dëshiroj që zgjedhjet të kalojnë pa asnjë lloj ekcesi apo interference të çfarëdo natyre nga rusët apo ndonjë shtet jo dashamirës ndaj ShBA-së, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. E them me sinqeritetin më të madh që jam duke i pritur me vëmendjen më të madhe, ngase zhvillohen në shtetin mik e sponsorizues të pavarësisë së Kosovës. Nuk është vetëm ky fakt që më nxitë t’i përcjell me shumë vëmendje. Është fakti se zgjedhjet po zhvillohen në një kohë të turbulencave të mëdha në arenën ndërkombëtare, me mundesi reale të eskalimit të një lufte të re botërore. Edhepse strategjia nacionale e ShBA-së është e krijuar për 100 apo 200 vjeçarin e ardhshëm për orientim në arenën e brendshme e ndërkombëtare, presidenti i ka disa kompetenca ekzekutive, me të cilat, mund ti përshpejtojë, ngadalësojë apo edhe ti anashkalojë disa procese për momentin apo për një kohë më të gjatë.
Të jem me i qartë, një problem i caktuar në arenën ndërkombëtare mund të mos jetë prioritet gjatë qeverisjes së tij. S’do mend që 2 kandidatët kanë prioritetete e objektiva të ndryshme, andaj do t’i mbetet lidershipit të shteteve tona të veprojnë shpejt e mençur me qëllim që të jenë sa më afër syve e mendjes së presidentit që do të zgjedhet. E kam deklaruar, por mendoj që është mirë prapë ta deklaroj se institucionet qendrore në Shqipëri, Kosovë dhe lobi ynë janë vonuar me përgatitjet për këto zgjedhje. Sipas meje, së paku gjatë vitit 2022 është dashur të fillohej koordinimi në format e përkrahjes dhe se cilat do të ishin kërkesat tona ndaj tyre për përkrahjen që do t’ua bëjnë (materiale, vota…). Sa për informacion, kështu ka vepruar lobi izraelit. Ishte një befasi shumë e mirë letra publike që kandidatja demokrate znj.
Kamala Harris ua dergoi shqiptaro amerikanëve, ku e vuri në spikamë historiatin qindra vjeçar të raporteve mes dy popujve dhe shteteve, posaçërisht e potencoi bagazhin e tyre “Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të thella në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe përkushtimin ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar”. Po ashtu, ishte shumë domethënës pasusi në letër “Do të vazhdojmë mbështetjen e Kosovës, si vend multietnik e demokratik, krejtesisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar… Së bashku mund të formësojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta”. Poashtu, vlen të potencohet fakti se në këto zgjedhje, përpos që zgjedhet presidenti, rizgjedhet një numër senatorësh e anëtarësh të kongresit, të cilët do të luajnë shumë rol në vendimmarrjen e politikave (për ne janë shumë me rëndësi ato ndërkombëtare).
Keni pasur takime me disa nga presidentët e ShBA-së. Mendoni se, pavarësisht cili kandidat të fitojë, miqësia mes kombit tonë dhe atij amerikan, nuk do të ftohet?
Sakt, miqësia mes dy popujve nuk është e kohës së fundit. Kjo miqësi, siç e potencoi edhe znj. Harris, është qindra vjeçare. ShBA e shpëtoi Shqipërinë pa u copëtuar, në Kongresin e Parisit, andaj, pavarësisht se cili kandidat do të fitojë, miqësia do të vazhdojë, por apeloj te të gjithë që të jemi më të mençur dhe të bëjmë sa më shumë veprime/aktivitete, me te cilat dëshmohet ky respekt që e kemi ne për ShBA-në. Pavarësisht se dikush mund ta shohë apo cilësojë si servilizëm, ne duhet ti shohim dhe duhet t’ua prezentojmë miqve si respekt. Mjafton ti shohësh serbët si veprojnë për Rusinë.
Sipas jush, kush do të fitojë?
Pavarësisht se cili kandidat do të fitojë, unë mendoj se fituese do jetë ShBA-ja. Një po e them, besoj që fituesi do të zgjedhet me një diferencë të vogël ndaj kundërshtarit politik.
Keni pasur kontakte, sigurisht, me miq amerikanë që jetojnë në ShBA. Çka presin ata pas këtyre zgjedhjeve?
Po, kam pasur kontakte me shumë miq amerikanë, por edhe kam marrë shumë informacione nga zyrtarë, senatorë e kongresistë amerikanë. Shqetësimi kryesor, sipas vlerësimit që kam krijuar, është zhvillimi ekonomik, punësimi, ngrohja globale, politika ndërkombëtare, liritë e të drejtat dhe normalisht shëndeti i tyre.
Cili do të ishte mesazhi juaj për bashkëkombëssit tanë që jetojnë në ShBA?
Apeloj te të gjithë bashkëkombësit të dalin masovikisht në zgjedhje e të degjohet zëri i tyre. Le t’ia japin përkrahjen materiale e votën atij kandidati që mendojnë se meriton, ngase, gjatë historisë, pro interesave të shteteve e kombit tonë, kanë bërë shumë të dy partitë politike. / Dashnim HEBIBI