Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nëpërmjet një video mesazhi në emër të popullit gjerman.
“Që nga deklarimi i Pavarësisë suaj 17 vjet më parë, Kosova ka arritur hapa të jashtëzakonshëm në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Rruga juaj drejt sovranitetit është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria”, thotë ambasadori.
Rohde ka deklaruar se shteti gjerman ndjehet krenar për rrugëtimin e Kosovës, teksa ka nënvizuar se pavarësia shtetërore është e bazuar në ndërtimin e institucioneve shtetërore.
“Gjermania është krenare të qëndrojë krahë jush, duke ju mbështetur rrugëtimin tuaj. Marrëdhëniet tona bilaterale janë dëshmi e një lidhjeje të veçantë ndërmjet popujve tanë. Ne së bashku kemi arritur progres të mirë dhe do të vazhdojmë të punojmë dorë më dorë. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm simbol, por një realitet praktik, e demonstruar nga ndërtimi i institucioneve shtetërore të fuqishme dhe progresit të jetësuar nga atëherë”, ka thënë ambasadori gjerman, njofton rtk.