Nga një ekonomi në lulëzim, në një ekonomi të dëshpëruar. Ndërsa zgjedhjet po afrohen, modeli gjerman i biznesit po kriset, shkruan The Economist.
Ministria e Financave e shtetit jugor gjerman Baden-Württemberg, ku kanë selinë kompani gjigante si Bosch, Mercedes dhe ZF Friedrichshafen, është një vend i përsosur për të kuptuar ankthet e Gjermanisë. Rajonin e ka mbërthyer frika e deindustrializimit teksa po afrohen zgjedhjet që duket se do t’i japin fund mandatit të kancelarit Olaf Scholz, nëse nuk shkarkohet më parë nga partia e vet.
Danyal Bayaz, ministri i Financave i shtetit Baden-Württemberg, shqetësohet se Gjermania nuk ka arritur të përfitojë siç duhet nga globalizmi i 15 viteve të fundit, duke mos investuar mjaftueshëm në sferën publike, në një epokë me norma të ulëta interesi. Tani, përballë krizës së energjisë, rritjes së konkurrencës nga Kina dhe mundësisë që Amerika e Donald Trump të vendosë tarifa importi prej 10-20%, modeli i biznesit i Gjermanisë, duket se është “në kolaps”.
Zoti Bayaz ankohet se Gjermania nuk pati aftësinë për të shfrytëzuar teknologjinë e re, pavarësisht se vendi njihet në fusha si kërkimi dhe inxhinieria. Ai vë në dukje se firma e fundit startup e suksesshme në Gjermani, ishte SAP, një kompani softuerësh, e themeluar që në kohën kur Franz Beckenbauer udhëhoqi ekipin e futbollit të Gjermanisë Perëndimore drejt fitores, në Kampionatin Europian të vitit 1972.
Gjermania ka mbi 60 herë më shumë banorë se Estonia, por vetëm 15 herë më shumë kompani “unicorn” (“njëbrirëshe”, firma private startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë).
Ky është një problem i njohur për ekonominë e vendit. Industria gjermane, sidomos kompanitë e vogla dhe të mesme, i kanë përqendruar forcat në rritje dhe zgjerim, duke e lënë industrinë të papërgatitur ndaj goditjeve të papritura teknologjike, si ardhja e automjeteve elektrike. Lidhjet e rehatshme midis biznesit, bankave dhe politikanëve, nxitën vetëkënaqësinë dhe qëndresën ndaj reformave të reja. Respektimi dogmatik i rregullave fiskale çoi në ndryshkje të urave, prishje të shkollave dhe vonesa të trenave. Rritjet në tregjet e huaja shtuan fitimet e bizneseve gjermane për njëfarë kohe, por ky model i udhëhequr nga eksporti, e la Gjermaninë të pambrojtur kur erërat e globalizimit u kthyen në drejtimin e kundërt, njofton ora news.