Në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve kanë shënuar një rritje shqetësuese kohët e fundit. Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, vetëm në tre muajt e fundit janë regjistruar 25 raste të tilla. Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime serioze për lirinë e medies dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë. Organizatat ndërkombëtare dhe vendore kanë bërë thirrje për masa më të ashpra për të mbrojtur gazetarët dhe për të siguruar një mjedis të sigurt për punën e tyre.
Në vitet e fundit, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë janë bërë një shqetësim serioz për lirinë e medies dhe demokracinë në vend. Gazetarët në Kosovë përballen me një sërë kërcënimesh, duke përfshirë sulme verbale, kërcënime me jetë, linçime në rrjete sociale, presion politik dhe madje edhe dhunë fizike.
Meridiana Statovci, gazetare në “Koha.net”, së fundi është sulmuar me gjuhë denigruese nga një zyrtar i Komunës së Prishtinës, për shkak të raportimeve rreth punimeve në rrugën “George Ë. Bush” në kryeqytet. Ajo thotë se nuk do të zmbrapset nga puna e saj, por që ofendimet e tilla nuk e bëjnë të ndihet mirë në punën e saj të përditshme.
“Normalisht që unë nuk do të zmbrapsem nga kjo gjuhë apo kërcënimet e zyrtarëve komunalë, kur po them kërcënime, por mendoj jam kërcënuar edhe më herët me padi. Unë do të vazhdoj të kryej punën time dhe të jem në shërbim të së vërtetës”, tha ajo.
Serbeze Haxhiaj, gazetare në Radio Kosovë, duke folur për përvojat e saj, të kërcënimeve që ka marrë gjatë punës së saj 25 vjeçare në mediet kosovare, thotë se kërcimet apo presioni mbi gazetarin, krijon ndjesinë e pasigurisë në punën tij, ose të saj.
“Personalisht mendoj që ka një ndryshim më radikal për sa u përket kërcënimeve dhe presionit kundrejt gazetarëve. Përpara ka pasur një formë më të sofistikuar të kërcënimeve e presionit, tashmë ka më shumë sulme verbale ndaj gazetarëve dhe natyrisht ka më shumë nivel më të lartë të jotransparencës dhe jo llogaridhënies, po flas për ekzekutivin aktual. Për një gazetar kjo përcjell për një kohë të gjatë ndjesinë e pasigurisë“, theksoi Hazhiaj.
Getoarbë Mulliqi, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thotë se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë raportuar 25 sulme ndaj gazetarëve.
“Nëse konsiderojmë që jemi në muajin mars dhe ne kemi potencuar vazhdimisht që ka pasur një rritje shumë të madhe në drejtim të gazetarëve dhe shkelje në drejtim të tyre, atëherë i bie që me këtë trend, të arrijmë shifra alarmante, nëse marrim një mesatare deri në 100 raste”, tha ajo, njofton rtk.
Raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare kanë dokumentuar dhjetëra raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë në vitet e fundit. Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë se partitë politike kanë ndërtuar një narracion të tillë që ndikon negativisht në punën e gazetarëve.
“Politika në Kosovë. E kur po them politika, orientimisht po mendoj në partitë politike, e konkretisht në partinë aktuale në pushtet. Ne kemi pasur edhe më herët gjuhë të papërshtatshme ndaj gazetarëve edhe nga partitë e tjera politike sa kanë qenë në pushtet, por asnjëherë nuk kemi pasur një pushtet që i ka quajtur gazetarët ndërmarrje e përbashkët kriminale”, theksoi ai.
Gjatë vitit 2023, janë raportuar gjithsej 72 incidente të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke e bërë atë vitin me numrin më të lartë të rasteve të tilla në dekadën e fundit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre incidenteve ndodhi në veriun e Kosovës, veçanërisht gjatë periudhës maj-qershor 2023, ku gazetarët u përballën me sulme fizike, dëmtime të pajisjeve dhe automjeteve të tyre.
Për më tepër, gjatë vitit 2024, u vu re një rritje e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë edhe linçime nga persona publikë, njofton rtk.