Trashëgimia kulturore është pasuri e një kombi, një thesar i pashtershëm që bashkon të kaluarën me të tashmen, ndërton të ardhmen dhe ruan identitetin tonë. Ansambli “Trojet” është mishërim i këtij misioni fisnik, një vatër e gjallë e kulturës dhe artit që i dedikohet ruajtjes, promovimit dhe trashëgimit të këngës, valles dhe vlerave artistike kombëtare.
Përmes përkushtimit të anëtarëve të ansamblit të këngeve dhe valleve „TROJET“ është dëshmi e dashurisë për gjuhën, traditat dhe atdhedashurinë që na lidhin ngushtë me rrënjët tona.
Çdo këngë dhe valle e interpretuar është jo vetëm një akt artistik, por edhe një amanet i brezave që na kanë paraprirë, duke na kujtuar se identiteti ynë kombëtar është i rrënjosur në historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Ushtrimet e para për vitin 2025 shënojnë një fillim të ri për këtë vit plot sfida dhe suksese. Në këtë rrugëtim artistik, anëtarët e ansamblit jo vetëm që përfaqësojnë trashëgiminë tonë kulturore, por edhe japin një shembull të shkëlqyer të përkushtimit ndaj shkollës, studimeve dhe punës. Duke ruajtur dhe pasuruar traditat, ata kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe atdheut, duke i dhënë jetë asaj që është pjesë e qenies sonë kombëtare.
Le të bashkohemi në këtë mision fisnik, duke mbështetur përpjekjet e “Trojeve” për të mbajtur gjallë flakën e identitetit tonë kombëtar dhe për të përhapur dashurinë për kulturën shqiptare në çdo cep të botës. Suksese të gjithëve në këtë rrugëtim artistik dhe frymëzues!
Me respekt dhe mirënjohje,
Ansambli i Këngëve dhe Valleve „TROJET“