Dashnim HEBIBI, PhD
Sfidat e përditshmërisë së kulturës së biznesit që ushtrohet nga diaspora shqiptare jashtë atdheut, më ka shtyrë të analizoj mekanizmat e mundshëm që duhet aktivizuar, të cilët, brenda këtij shkrimi, do të mundohem t’i shpalos si një këndvështrim personal rreth rëndësisë dhe fuqisë lidhëse që përfaqëson zhvillimi i bizneseve shqiptare në hapësira gjeografike jashtë shteteve amë.
Veçantia që e ka karakterizuar dhe dëshmuar diasporën shqiptare përgjatë gjithë ekzistencës së saj jashtë trungut amë, lidhet pikërisht me kontributin që ka dhënë para dhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Ajo mbështetje e parezervë për atdheun ka pasur si burim, jo vetëm kapitalin njerëzor individual, por veçanërisht atë të akumuluar nga zhvillimi i biznesit me një kulturë të integruar të kësaj natyre në vendet e Evropës Qendrore e më gjerë.
Brenda këtij forumi, përqendrimi i tezës sime ka karakter më sipërfaqësor dhe është më i fokusuar në rolin përbashkues që do të duhej të simbolizonte komuniteti shqiptar i biznesit, kudo në hapësirën evropiane dhe jo vetëm. Potenciali biznesor i diasporës shqiptare në cilindo vend jashtë trungut të shteteve amë dhe roli i saj si aktor në hapësirën ekonomike globale, përfaqëson një nivel të ri të interesit kombëtar.
Rëndësia e trurit dhe talentit të përfaqësuesve të diasporës shqiptare, jo vetëm se po pranohet nga shtetet pritëse, por edhe po bëhet çdo ditë e më atraktive për kompanitë e huaja me shtrirje ndërshtetërore e tejoqeanike. Këtë potencial njerëzor kemi për obligim që ta ruajmë, kultivojmë e shfrytëzojmë, duke investuar vazhdimisht në të, në mënyrë që rrjeti i bizneseve shqiptare të jetë konkurencë serioze në tregun e Zvicrës, Evropës e më gjerë. Ndjekja e një strategjie të qëndrueshme të zhvillimit të një kulture bashkëshkrirëse të kapitalit njerëzor dhe financiar të komunitetit biznesor shqiptar të diasporës, do të mund të konsiderohej si një linjëveprim i avancuar drejt fuqizimit të elementit shqiptar në tregun evropian e më gjerë.
Duke besuar që bizneset shqiptare, të shtrira nëpër shtetet evropiane, si pikë të përbashkët kanë kombin shqiptar, por si synim, sigurisht që kanë dhe duhen të kenë pushtimin e tregjeve vendore e të huaja, të prodhojnë ide dhe vizione të qëndrueshme drejt krijimit të një banke komerciale shqiptare, për t’a mbajtur kapitalin shqiptar në qarkullim dhe në shërbim të ngritjes e shkëlqimit të diasporës shqiptare në çdo sferë.
Uroj që ky organizimi i konferencave rreth dhe për biznesin shqiptar të shndërrohet në traditë të përvitshme dhe nga punimet e tij të publikohen shkrime të karakterit akademik, nga të cilat do të përfitojë, jo vetëm komuniteti shqiptar i biznesit të diasporës, por edhe më gjerë.
helveticALforum