“Çelësi qëndron te shkollat shqipe, te mësimi i gjuhës dhe historisë kombëtare për të ua zgjuar dhe kultivuar atdhedashurinë. Në shtetin e New York-ut kemi disa shkolla të tilla në Bronx, Staten Island, etj.,në të cilat, një numër substancial i fëmijëve shqiptaro-amerikanë i vijojnë mësimet. Ky fakt më lumturon pamasë.
Mirëpo, nuk duhet harruar se roli kryesor dhe primar në kultivimin dhe në mburrjen për përkatësinë kombëtare është ai i familjes”, na tha, ndër të tjera, zonja Hadri-Devine.
Intervistë ekskluzive;
Ju lutem të na përshkruani profilin tuaj! Me se merreni? Çfarë profesioni keni?
Profili im profesional është i degëzuar në dy drejtime: atë të botës akademike dhe të biznesit.Pjesa akademike përfshinë studimet në dy programe master, njëri në linguistikën angleze në Universitetin e Prishtinës dhe tjetri në Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në NewSchool for Social Research të Universitetit të NewYork-ut.
Sa i përket edukimit përgatitor për biznes, kam vijuar studimet për Menaxhim të Hoteleve dhe Restoraneve në New York Hospitality Management School dhe jam e certifikuar për këshilltare financiare për Shtetin e New York-ut.
Si rezultat i këtij formimi të gjithanshëm kam punuar në fusha të ndryshme në faza të ndryshme të rrugëtimit tim jetësor, si në vijim:
Në Kosovë punova si profesoreshëe Gjuhës Angleze,ndërsa në Amerikë si pronare e biznesit të suksesshëm për njëzet vite të, quajtur ‘Lumi Restaurant’ në Manhattan të New York-ut.
Gjithashtu, punova si këshilltar financiar për ‘NewYork Life Company’.Së fundmi, si Presidente e Korporatës sime, jam marrë me disa projekte që më japin shumë kënaqësi sepse janë në dobi të Kosovës, siç janë: ‘KosovoAmerican Education Fund’, ku në rolin e konsulentes për zhvillim strategjik, duke punuar për American Councils for International Educationnë Washington, DC, ngrita fonde për të sjellë studentët e përzgjedhur të Kosovës për të studjuar në programet master në universitetet elitare në SHBA.
Gjithashtu, punova edhe si hulumtuese shkencore për Institutin e Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës,në Bibliotekën e Kongresit në Washington, DC për të grumbulluar materiale për projektin madhor të institutit “Historia Moderne e Kosovës”.
Na tregoni, ju lutem, kur keni migruar në SHBA?
Më 8 Janar 1987.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
Unë jetoj me nënën time, Nazmije Hadri dhe bashkëshortin tim, Patrick Devine.
Si e kujtoni veten gjatë ditëve të para në SHBA?
Nuk isha e ngazëllyer, sepse erdha në SHBA për t’i ikur përkohësisht Policisë Speciale Serbe, e cila kërkonte të më burgoste për shkak të pjesëmarrjes sime në demonstratat e vitit 1981, të cilat, pushteti i ish Jugosllavisë i quajti kontrarevolucion. Dënimi me burg për pjesëmarrje ishte prej katër deri në shtatë vite.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Jam pjesëmarrëse aktive në ngjarjet politiko-kulturore të diasporës sonë. Si anëtarë e kryesisë së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës ‘Vatra’, degës New York-QN, nën udhëheqjen e Kryetarit Dr. Skënder Myrtezanit dhe me ndihmën e anëtarësisë, jemi duke punuar që të realizojmë riatdhesimin e eshtrave të të madhit Fan S. Noli në Shqipëri.
Jeni veprimtare e njohur e çështjes kombëtare. Mendoni se, një ditë, tokat shqiptare do të jenë të bashkuara?
Ne duhet të punojmë në mënyrë intensive për një konfederatë të trojeve tona, të jemi të përgatitur për momentin kur konstelacioni gjeopolitik do të jetë adekuat, fillimisht bashkimi të bëhet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe pastaj, hap pas hapi, të negociojmë për trojet tjera të copëtuara, si prioritettë kemi zgjidhjen për Luginën e Preshevës, sepse shqiptarët atje e kanë të rrezikuar ekzistencën bazike nga trajtimi racist dhe diskriminues i pushtetit serb.
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë amerikane?
Plotësisht, por kjo nuk do të thotë se nuk e mendoj opsionin për t’u kthyer dhe jetuar në Kosovë dhe Shqipëri, së paku për një pjesë të vitit.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Zakonisht një herë në vit dhe qëndroj një apo dy muaj.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, etj.] mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Nuk mund ta veçoj ndonjë grua specifike, sepse kemi shumë gra të mrekullueshme. Fatkeqësisht. për shkak të mentalitetit patriarkal, historikisht, gruas shqiptare në shoqërinë tonë nuk i është dhënë hapësira e duhur për të vepruar dhe për të shkëlqyer në kapacitetin e plotë të saj.Sidoqoftë, unë i konsideroj heroina të vërteta ato mësimdhënëse, në të gjitha nivelet e arsimit, që me idealizëm të theksuar kontribuojnë në emancipimin e gjeneratave të reja që të ecin me kohën, të përparojnë dhe të bëhen anëtarë të denjë dhe atdhedashës të shoqërisë sonë dhe ashtu si na ka hije, si njërit prej popujve më të lashtë të Evropës. Me këtë frymëzim punuan zonjat veterane të arsimit të pasluftës së dytë botërore.Nëna ime ishte njëra nga ato, plotë zell dhe entuziazëm për ta çrrënjosur analfabetizmin nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Unë mund të flas vetëm për kontributin në SHBA që ndodhi para, gjatë dhe pas luftës, e deri te shpallja e pavarësisë. Kryesisht, roli i gruas shqiptare të diasporës ka qenë më shumë i orientuar kah ndihma humanitare,konkretisht nëpërmjet organizatës ‘Motrat Qiriazi’.Përndryshe, shumica e grave nuk ishin të inkuadruara në organizata politike e të lobimit, përjashto këtu ndonjë që ka punuar me pagesë.
Si anëtare themeluese e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe si anëtare e bordit të drejtorëve të kësaj organizate, isha shpeshherë e vetmja grua në mesin e shumë burrave në aktivitete, mbledhje dhe takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Këta zyrtarë, nganjëherë e shprehnin habinë e tyre për mungesën e pjesëmarrjes së grave dhe na thonin:” Zotërinj, ku janë zonjat”.
Duhet të them se nuk e kanë pas derën e mbyllur. Thjesht, mendoj se nuk janë inkuadruar për shkak të mentalitetit dhe obligimeve familjare. Më vjen mirë që ky trend ka ndryshuar viteve të fundit dhe se dega e ‘Vatrës’, të cilës i takoj tani, ka një numër të konsiderueshëm të grave.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Çelësi qëndron te shkollat shqipe, te mësimi i gjuhës dhe historisë kombëtare për të ua zgjuar dhe kultivuar atdhedashurinë. Në shtetin e New York-ut kemi disa shkolla të tilla në Bronx, Staten Island etj., në të cilat, një numër substancial i fëmijëve ahqiptaro-amerikanë i vijojnë mësimet. Ky fakt më lumturon pamasë. Mirëpo, nuk duhet harruar se roli kryesor dhe primar në kultivimin dhe në mburrjen për përkatësinë kombëtare është ai i familjes.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Unë mendoj që gruaja shqiptare e diasporës duhet ta mbështesë shtetin amë dhe jo anasjelltas.
Jeni model dhe shembull i shumë vajzave të reja që po rriten jashtëatdheut për sukseset e juaja. Komenti juaj?
Së pari, personi duhet të ketë ambicie dhe dëshirë të madhe për të qenë i suksesshëm në jetë. Duhet të përdorë çdo armë nga arsenali personal për të arritur suksesin: vetëbesimin edhe kur të tjerët dyshojnë në aftësitë e tuaja, mendjemprehtësinë, etikën e fortë të punës, aftësinë për t’a spikatur dhe shfrytëzuar mundësinë potenciale, vëmendjen për detaje, kuriozitetin, pasionin dhe aftësinë për t’i bindur të tjerët për ta financuar vizionin tënd strategjik. Aty qëndron dallimi në mes të suksesit dhe dështimit.
Sipas jush, po dëgjohet sa duhet zëri i gruas shqiptare të diasporës?
Kur bashkohen dhe organizohen, zëri i tyre fuqizohet.
Do të duhej që gruaja shqiptare e diasporës të jetë më e organizuar?
Në vazhdimësi duhet të ketë përpjekje për përmirësim.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI