Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për ndërprerjen e fondeve pas urdhrit të Trump. Kujtojmë që Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.
Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ua dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Sipas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, ndihmat e tanishme amerikane “nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe, në shumë raste, janë në kundërshtim me vlerat amerikane”
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar institucionet dhe të gjitha organizatat shqiptare për pezullimin e fondeve dhe të gjitha projekteve bazuar në urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump
Institucionet që janë lajmëruar;
* Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
* Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
* Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
* Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
* Ministria e Mbrojtjes
* Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
* Ministria e Arsimit dhe Sportit
* Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
* Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
* Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
* Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
* Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
* Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
* Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
* Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
* Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
* Këshilli i Lartë Gjyqësor
* Këshilli i Lartë i Prokurorisë
* Gjykata Kushtetuese
* Gjykata e Lartë
* Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
* Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
* Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
* Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
* Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
* Inspektori i Lartë i Drejtësisë
* Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
* Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
* Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
* Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
* Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
* Të gjitha pushtetet komunale
* SPAK dhe BKH, njofton oranews.