/ Nga Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Lufta në Ukrainë dhe qëndrimet e fundit të Fuqive të Mëdha, kanë polarizuar edhe më tej skenën nërkombtare. Sot më tepër se kurrë po bëhet më e dukshme lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe veçanërisht statusin aktual të popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, lidhja dhe ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin dhe paqen e tij. Ndarja e Ukrainës do të ketë një ndikim drastik në Ballkan.
Ajo do të shtonte edhe më tepër orekset sërbe për të rrëmbyer territore në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, prandaj zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re që është krijuar. Mendohej që gjeopolitika e Ballkanit përfundoi rikonfigurimin me shtetin e Kosovës dhe të Malit Zi. Kjo e parë në zhvillimet e reja është një qasje e gabuar, pa ju dhënë fund problemeve të pazgjidhura në Kosovë, Bosnje dhe Maqedonin e Veriut.
Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë në të gjitha trojet shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme. Me keqardhje duhet të themi se, në vëndin amë kjo dukuri vitet e fundit ka një rënje, pasi shumë shqiptarë po largohen nga vëndi, sidomos moshat e reja.
Nga territoret historikisht të banuara nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje më shumë se gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe Turqi. Sot më tepër se kurr, shqiptarët duhet të gjejnë pozicionin e tyre, dhe ky pozicion duhet të jetë një zë i unifikuar nga të gjithë. Eksperjenca e kaluar është shumë e hidhur në çeshtjen shqiptare. Sa për kujtesë le ti referohemi historisë.
Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, u përballë me qëndrimet shoviniste të shteteve të reja kufitare, si ato greke, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, (një situatë që po përsëritet sot), me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane.
Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha. Në mesin e shek. XIX, sipas shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë; Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir; Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë,(Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Sipas këtyre studimeve në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqednas, serbë, malazes, turq), por këto përbënin pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare.
Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve, Kosova, Shkodra, Manastiri, Janina. Trojet me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2. Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik.
Këtu u përfshinë edhe trojet shqipëtare. Brutaliteti i politikës perandorake ruse e mbështetur kjo nga fuqitë e tjera europiane do të dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike. Këtë e bënë jo se nuk kishin informacion për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Trojet shqipëtare u copëtuan midis katër shteteve.
Pjesa më e madhe nën sundimin e Perandorisë Osmane, kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës.
Të njejten linjë ndoqi edhe Kongresi i Berlinit, i cili u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës; Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.
Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913, njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Copëtimi i 1913-ës la pasoja të rënda në kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare, duke përgjysmuar gjysmën e territorit të ngelur dhe më tepër se gjysmen e popullsisë. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile dhe u kryen spastrime etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.
Vetëm ndërhyrjet amerikane të viteve 1919-1920 dhe ndërhyrja e NATO-s me SHBA në vtet 1999 kanë qënë vendimtare për kombin tonë.
Duke analizuar me kujdes këto procese dinamike mund të konkludohet se aktualisht përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane. Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj, shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon.
Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë të lidhura me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike. Sot më tepër se kurr duhet të kërkohet një unifikim Shqiptarë për çeshtjet kombëtare.
Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike, arsimore, lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike. Në Neni 8 të Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë theksohet se;
- Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
- Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
- Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare. Mbi këtë bazë i takon shtetit amë që të udhëheqë këtë proces. /gazetadielli