Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka nisur prej disa ditësh punimet mirëmbajtëse dhe restauruese, në shtëpinë e Pashko Vasës, një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shkodër. Punimet janë fokusuar si në fasadën e jashtme ashtu edhe në disa ambiente të brendshme që kishin pësuar dëmtime dhe kërkonin ndërhyrje emergjente.
“Ndërhyrja përfaqëson një hap të rëndësishëm për mirëmbajtjen e banesës së Pashko Vasës, por gjendja e objektit kërkon një projekt më të plot duke përfshirë të gjithë godinën”, u shpreh Amila Gjyrezi, drejtoreshë në DRTK Shkodër.
Specialistët e DRTK Shkodër theksojnë se punimet po realizohen duke respektuar teknikat e vjetra të restaurimit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit të kësaj ndërtese historike.
“Specialistët tonë kanë një përvojë shumë vjeçare në fushën e restaurimit dhe bazohen në teknikat më të vjetra të restaurimit duke përafruar mënyrat e sotme me ato autentike”, u shpreh arkitektja Sabrina Kuçi.
Shtëpia, e cila ka një histori mbi 300-vjeçare, është e njohur jo vetëm si vendlindja e Pashko Vasës, por edhe si selia e degës së “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Pavarësisht rëndësisë së saj historike dhe turistike, prej vitesh nuk është ndërhyrë në mirëmbajtjen e saj, çka ka sjellë degradimin e objektit, njofton rtsh.