Jeton ARIFI, M.A.
Historia e dhimbshme e popullit tonë ka dëshmuar që përmbyllja e proceseve për paqësimin tonë me fqinjët tanë është karakterizuar me tkurrje të hapësirës sonë gjeografike, megjithë paqen e përkohshme që kanë sjellë ato procese.
Muaji nëntor, për ne shqiptarët, simbolizon periudhën brenda vitit, e cila, në këndvështrim kronologjik të historisë sonë, është e stërmbushur me ngjarje atdhetarie, të cilat, sa herë evokohen, megjithë dozën e krenarisë që na mbushë zemrën, na ngjallin pakënaqësi rreth gjendjes së kombit tonë.
Në rastin tonë, çështja e sigurisë është vetëm një komponent i rëndësishëm, por assesi i vetmi, për krijimin e një shteti konfederalist me përbërje demografike krejtësisht homogjene. Nevoja jonë për t’u bashkuar si komb lidhet me përballimin e çështjeve kritike, si mbrojtja e territorit, përfaqësimi më i mirë në rrafshin ndërkombëtar, bashkërendimi i tregtisë me jashtë, jo vetëm si një dëshirë e flakët e secilit prej nesh për t’a ruajtur kulturën, traditën e gjuhën.
Një projekt hipotetik për një konfederatë të përbërë nga territore shqiptare të Ballkanit, pavarësisht rregullimit të brendshëm, i pranuar si skenar i mundshëm, pavarësisht shkallës së vështirësisë për jetësimin e tij, do të tingëllonte i papranueshëm e joracional vetëm nga mendje e qarqe që nuk e duan rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm të elementit shqiptar, si një ndër popujt më autoktonë të Mesdheut.
Pak Fjalë rreth Konfederalizmit
Konfederata ka kuptimin e një bashkimi shtetesh sovrane, në të cilin, theksi vihet mbi pavarësinë me sovranitet të një trupi të tillë kushtetues. Konfederalizmi është mënyrë e përjetësimit të ndërvarësisë që duhet të ekzistojë midis komuniteteve dhe regjioneve, në fakt, ajo është mënyrë e demokratizimit të asaj ndërvarësie, pa iu nënshtruar parimit të kontrollit lokal.
Duke qenë parim i organizimit shoqëror, konfederalizmi e arrinë zhvillimin e vet të plotë atëherë kur ekonomia konfederalizohet, duke vënë në duart e komunave fermat lokale, fabrikat dhe ndërmarrjet tjera të nevojshme. Thjesht thënë, atëherë kur një shoqëri, pavarësisht se a është e madhe apo e vogël, fillon t’i menaxhojë burimet e veta ekonomike në një rrjet të lidhur me shoqëritë tjera.
Konfederalizmi, jo vetëm që ka kuptim të rëndësishëm për integrimin e shteteve kombe, por ai mund të shërbejë edhe si model për krijimin e një bashkekzistence paqësore në një situatë të caktuar, të ngarkuar me tensione etnike (siç është rasti me vendin tonë).
Në këtë lloj rregullimi shtetëror, kushtetuta është një pakt i lidhur midis vendeve (qeverive, krahinave, regjioneve, etj.) përbërëse të asaj konfederate. Në konfederatë, zakonisht, statusi i vendeve anëtare nuk ndryshon, pra, sovraniteti shtrihet mbi të gjitha anëtaret e kësaj konfederate, meqë shprehja e konfederatës është më shumë e përkushtuar në ruajtjen e lirisë lokale të qeverive që përbëjnë konfederatën.
Nëse nisemi nga parimi, pothuajse i zakonshëm, i ngritjes së konfederatave, pra, duke bashkuar qeveritë, krahinat, shtetet apo regjionet që kanë ekzistuar edhe më parë, në projektin për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare nëpër Ballkan, me synim për t’a themeluar një shtet konfederativ, nuk do të mund t’i përmbaheshim plotësisht kësaj praktike, meqenëse në rastin tonë, si njësi përbërëse të konfederatës do të na paraqiteshin edhe territore të caktuara që nuk kanë pasur ndonjëherë status shteti, republike, krahine apo të ndonjë njësie më të vogël qeverisëse.
Shtetet e Bashkuara Shqiptare
Aktualisht, shqiptarët në Ballkan janë të shpërndarë në dy shtete (Shqipëri, Kosovë) ku vet janë shtetformues, ndërsa në katër shtete (Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Greqi) fqinje, si pakica kombëtare. Shikuar në aspektin politik dhe në atë të sigurisë, vetëm Shqipëria ka një gjendje stabile, që do të thotë se shumetniciteti (në të gjitha shtetet e Ballkanit me shqiptarë) nuk po jep rezultate, jo që elementi shqiptar paraqitet si destruktiv, por vetëdijesimi i tyre ka ndikuar që të mos rrinë duarkryq ndaj padrejtësive që u janë bërë dhe po vazhdojnë t’u bëhen.
Në aspektin ekonomik, shqiptarët, pavarësisht se në cilin nga shtetet e Ballkanit jetojnë, nuk kanë ndonjë mirëqenie sociale të lakmueshme, e të mos flasim për standard evropian. Duke qenë peng të ekonomisë së pazhvilluar, gjendjes së brishtë të sigurisë, shqiptarët, në vazhdimësi, po vihen para aktit të kryer që të dalin para publikut ndërkombëtar si faktor destabilizues, jo që janë vërtetë, por sepse fati i tyre gjithmonë është vendosur nga fuqitë e mëdha, pa respektuar vullnetin e tyre.
Për t’a shmangur mundësinë e përsëritjes së historisë së hidhur, projekti hipotetik për krijimin e Shteteve të Bashkuara Shqiptare, del si domosdoshmëri konstruktive për të mirën, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe fqinjëve që i rrethojnë ata.
Duke pasur të drejtën e referendumit, shqiptarët e të gjitha trevave të mbetura jashtë shtetit amë, do të mund të organizonin referendum për t’a deklaruar vullnetin e tyre politik që të jetojnë brenda kufinjve administrativë të njëjtë. Secila pjesë përbërëse e kësaj konfederate do të rregullonte vet çështjet e brendshme, duke përfshirë edhe ligjet, por do të kishin të përbashkët fushën e sigurisë, ekonomisë dhe të mbrojtjes.
Cilido shtet i formuar në shekullin XXI dhe i njohur ndërkombëtarisht, obligohet të respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut, e me theks të veçantë të pakicave kombëtare, që nënkupton se Shtetet e Bashkuara Shqiptare do të aplikonin politika integruese dhe mbështetëse ndaj pakicave kombëtare brenda territorit të vet. Njësitë konfederative të Sh.B.Sh.-së, sipas kushtetutës, e cila do të miratohej nga delegatët e secilës qeveri, nuk do të kishin të drejtë shkëputjeje fizike.
Në rrethanat ekzistuese të kombit tonë, aplikimi i sistemit konfederalist, si mënyrë e zgjidhjes së çështjes politike të shqiptarëve të shpërndarë nëpër Ballkan, nuk është i rëndësishëm si projekt ideor, nëse secili prej nesh nuk beson në jetësimin e tij.
Mendoj që ekzistenca e gjithçkaje fillon si ide. Besimi i pakontestueshëm në një ide të caktuar, e sjell jetësimin dhe materializimin e saj.
I dashur lexues, atmosfera festive e nëntorit shqiptar mund të manifestohet nga shumë ngjyra, por asaj më së miri i rrinë ngjyrat kuq e zi. Gëzuar festat e nëntorit shqiptar!