Jeton ARIFI M.A.
“Një vend i vogël në Ballkan, me popullsi kryesisht myslimane, i dalë nga një luftë ndëretnike, me ekonomi të rrënuar, por, megjithëkëtë, demokratik e me vlera qytetëruese”.
Kështu do ta përshkruante një i huaj Kosovën tonë me pak fjalë, nga këndvështrimi i tij i paanshëm. Përkufizim i shkurtë dhe aspak i gabuar, megjithëse një studjuesi apo analisti të huaj do t’i duhej mjaft kohë për t’a zgjeruar apo, të paktën, për t’a vërtetuar këtë pohim mbi këtë pjesë të Ballkanit, e cila, falë lashtësisë dhe qytetërimit, lidhjeve historike me Lindjen e Afërt dhe aleancën e fuqishme me Perëndimin sot, po hapëron sigurt drejt portës së oborrit murelartë evropian.
Sidoqoftë, jo të gjitha vlerësimet e publikuara për vendin tonë për këto njëzet e katër vite, kaq aktual për arenën ndërkombëtare në ditët e sotme, kanë qenë pozitive ose neutrale. Qarqe apo laboratorë propagandistikë të vendeve të rajonit e më gjerë, janë munduar ta cilësojnë Kosovën si një ‘djep të ekstremizmit fetar’, duke pasur Fenë Islame të vetmin argument të mundshëm, të cilin, populli shqiptar i shtrirë në territorin e Kosovës së sotme, e kishte ‘përqafuar’ me rastin e pushtimit të saj nga Perandoria Osmane.
Por, a është Kosova vërtetë një vend islamik me celula ekstremistësh brenda, siç tentojnë ta paraqesin qarqe të caktuara të disa vendeve fqinje?
Ndërlikueshmëria e kësaj problematike, apo më mirë të themi, përgjigja e mundshme në këtë pyetje është sa komplekse, aq edhe e thjeshtë. Le ta thërrasim kujtesën për t’a rishikuar rrjedhën e ngjarjeve nga periudha e pasluftës në Kosovë!
Me përfundimin e luftës, nën petkun e ndihmës humanitare dhe rindërtimit, u instaluan mjaft organizata qeveritare e joqeveritare arabe, përkrah shumë të tillave nga bota perëndimore. Fushëveprimi i organizatave të tilla, në vitet e para të pasluftës ishte i përqendruar, kryesisht në rindërtimin e vendit (sidomos xhamive), ndihmave humanitare dhe asocijimit të ngjashëm. Duke qenë të lodhur nga lufta, qytetarët e Kosovës pranuan çdo ndihmë, të çfarëdo natyre apo karakteri, pavarësisht se nga kush i ofrohej.
Me kalimin kohës, shumë organizata humanitare u larguan nga vendi ynë, duke konsideruar se kishin përmbushur misionin e tyre.
Por, ç’u bë me organizatat e ardhura nga vendet arabe?
Njëmbëdhjetë shtatori i vitit 2001 (sulmi ‘terrorist’ mbi caqe amerikane) shënjoi fillimin e largimit të disa prej këtyre organizatave, të cilat, duke e ditur praninë e kontingjentit ushtarak amerikan në Kosovë, si dhe lidhjen e fuqishme midis popullit shqiptar të Kosovës me popullin amerikan, vendosën që të ndërronin strategjinë e veprimit. Kështu, në saje të largimit simbolik të tyre, ata themeluan organizata të reja joqeveritare, stafi i të cilave përbëhet kryesisht prej vendorëve, gjegjësisht ish punonjësve të organizatave arabe të instaluara këtu pas luftës.
Natyrshëm lind pyetja se cili është roli i këtyre organizatave sot dhe kush qëndron prapa tyre?
Për të qenë të saktë në ofrimin e përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje, duhet zhvilluar hulumtime të thella dhe angazhuar agjenci të specializuara. Një gjë është e sigurtë se përkujdesja për bonjakët, rindërtimi i xhamive, etj., nuk është qëllimi kryesor i tyre. Ajo që ka mundur të vërtetohet deri sot është se misioni dhe qëllimi i tyre afatgjatë është indoktrinimi fetar, propagandimi rreth rëndësisë së kthimit të Rendit Islam, si dhe përgatitja e celulave ekstreme për veprim të mëvonshëm.
Shqetësues është fakti se një komunitet simbolik i fetarëve ‘të devotshëm’ në Kosovë ka rënë pre e propagandimit që zhvillojnë këto organizata. Kjo është arritur duke u nisur nga statusi social i qytetarëve tanë, gjendjes së tyre ekonomike, të cilat, qarqe të caktuara kanë ditur t’i shfrytëzojnë në të mirën e vet. Gjatë më shumë se dy dekadash, ata që nuk kanë pasur kushte për të paguar studimet, kanë qenë cak i misionarëve të këtyre organizatave me bazë nëpër shtetet arabe, për t’i dërguar këta të rinj në studime nëpër universitete të vendeve arabe për të ndjekur studime mbi teologjinë, për t’i rekrutuar ata, me shpresë që ata të kthehen prapë në Kosovë, të zënë pozita me rëndësi brenda kulteve fetare dhe t’i shfrytëzojnë pastaj për qëllimet e veta.
Mbi të gjitha, shpresëdhënës është fakti se qytetarët e Kosovës dhe udhëheqja e saj (pavarësisht subjektit politik), e kanë shumë të qartë rrugën e progresit dhe të integrimit perëndimor. Çdo tentim për t’a mënjanuar këtë hapërim të drejtë do të jetë i kotë, sepse populli shqiptar, në përgjithësi, sidomos ai i Kosovës, gjithmonë është ndjerë më shumë shqiptar se sa fetar, pavarësisht se ka ditur t’i çmojë vlerat e fesë dhe t’i prezantojë ato para botës si vlera qytetëruese.