Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim Arthur Erken, drejtorin rajonal të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM), me seli në Vjenë.
Gjatë këtij takimi, të dy diskutuan për progresin e Kosovës në menaxhimin e migracionit dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të adresuar lëvizjet migratore.
Sveçla theksoi përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve kosovare për të forcuar rrugët e rregullta të migrimit, duke u fokusuar në krijimin e mundësive për migrimin e ligjshëm dhe të qëndrueshëm.
Ai njoftoi për progresin e Kosovës në këtë fushë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të konventave ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës është duke u ballafaquar me sfida të ndryshme nga lëvizja e migrantëve, por ne jemi të angazhuar për të zhvilluar rrugë të rregullta për migrim dhe për të trajtuar edhe nevojat e tregut të punës,” tha ministri Sveçla.
Nga ana e tij, Arthur Erken, drejtor rajonal i IOM-it, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe IOM-it.
“Ne e çmojmë përkushtimin e institucioneve të Kosovës në menaxhimin e migracionit. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për të përballuar sfidat që po hasin vendet e rajonit dhe për të siguruar që migrimi të jetë i kontrolluar dhe i sigurt,” deklaroi Erken.
Ministri Sveçla dhe Erken theksuan nevojën për shtimin e bashkëpunimit dhe përgatitjen e institucioneve për të marrë masat e nevojshme dhe të duhura për të menaxhuar sfidat që mund të shfaqen në të ardhmen, njofton frontonline.