Shqipëria ka theksuar nevojën e një vëmendjeje të shtuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për rajonin e Adriatikut, duke theksuar rëndësinë strategjike të tij.
Deklarata vjen nga zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino përfundim të kryesisë shqiptare të Kartës së Adriatikut (A-5). Fino u ndal në fjalën e saj te prioritetet dhe arritjet e kryesisë shqiptare, ndërsa vlerësoi politikën e dyerve të hapura. Zyrtarja shqiptare theksoi se sot 3 nga 4 vende të Kartës janë vende aleate, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është një vend aspirant për anëtarësim në NATO.
“Mirëpritëm edhe vendet vëzhguese të Kartës, Kosovën, Serbinë dhe Slloveninë, me statusin e të ftuarit, si një shembull i qartë i politikës së derës së hapur dhe gjithëpërfshirjes rajonale në këtë iniciativë”, tha ajo.
Fino theksoi se fokusi i kryesisë shqiptare gjatë këtij viti ka qenë rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5 për përballimin rajonal të kërcënimeve hibride, si një kërcënim shumëdimensional për rajonin tonë dhe përtej tij, veçanërisht në dritën e sulmeve kibernetike të viteve të fundit ndaj disa vendeve të Kartës.
Fino nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në dobi të sigurisë dhe dënoi ashpër sulmin terrorist të 30 nëntorit në veri të Kosovës, duke kërkuar që ky akt kriminal të hetohet dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore.
“I kërkuam kryesisë së ardhshme të Bosnjë dhe Hercegovinës që të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në A-5, gjatë presidencës së saj, si domosdoshmëri për sigurinë e gjithë rajonit”, tha zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino. Ajo i bëri deklaratat në prani të Josip Brkiću, zv.ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, vend i cili merr kryesinë e radhës. / rtsh.al /