/ Nga Blerim Hyseni, Kumanovë
Duke ndjekur debate të ndryshme, veçanërisht në rrjetet sociale, shpesh kam hasur angazhime që synojnë të shprehin pakënaqësi, të tilla si: “Mjaft më të vjetrit, lëshojeni rrugën të rinjve” apo “Të rinjtë duhet të jenë ata që vendosin”.
Së pari, dua ta bëj të qartë se unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë për një rol të rëndësishëm të të rinjve në shoqëri, sidomos në atë shqiptare. Historia na ka dëshmuar se shqiptarët e rinj shpesh kanë qenë promotorë të së mirës dhe kanë marrë mbi supe një peshë të rëndë, të cilën e kanë bartur me sukses. Pikërisht për këtë arsye, gjithmonë kam mbështetur të rinjtë.
Megjithatë, ata që thonë se të rinjtë duhet të kenë një rol vendimmarrës duhet të kenë parasysh disa gjëra. Për shembull:
Sa është një i ri apo një e re e gatshme të marrë fatin në duart e veta?
Sa është një i ri sot i vendosur për të mos bërë kompromis për të drejtat e tij?
Përveç angazhimit në rrjetet sociale, sa të rinj shqiptarë në Maqedoni janë të përfshirë në jetën publike për të realizuar kauzat e tyre?Kuptohet nëse ekzistojnë ato!
Sinqerisht, dua të jem gabim dhe do të ndihesha më mirë sikur të mos kisha të drejtë, por realiteti që po shoh prej vitesh është krejt ndryshe. E di që ka përjashtime, por ato janë individuale, ndërsa nuk po shoh ndonjë përpjekje për të ndërtuar një kauzë të vërtetë për të rinjtë.
Historikisht, studentët kanë bërë revolucione, kanë përmbysur pushtete dhe kanë ndryshuar shtete, por sot ata janë më të pafuqishëm se kurrë. Për shembull, kur keni dëgjuar për herë të fundit një deklaratë nga unionet studentore shqiptare në Maqedoni? Tre Universitete me tre unione studentore – a bashkëpunojnë mes vete? Nga sa di unë, jo. Nuk kam dëgjuar asnjëherë një prononcim nga unionet studentore për zhvillime politike, kulturore, ekologjike apo çfarëdo lloj problemi tjetër. Prandaj, lind pyetja: Pse ekzistojnë këto unione nëse nuk angazhohen për asgjë?
Faktorizimi i gjeneratës së re nuk arrihet duke u bërë “kujdestar” i rrjeteve sociale dhe duke i përdorur ato vetëm për të nënçmuar apo ofenduar ata që shprehin mendime të ndryshme. Faktorizimi nuk ndodh duke u zgjuar në orën 14:00, duke pirë kafe e duke rrotulluar pakon e cigares mbi tavolinë, ndërkohë që ankohesh: “Këtu nuk jetohet”, “Këtu asnjëherë nuk bëhet mirë”, e duke përhapur pesimizëm e defetizëm pa ndërmarrë asgjë konkrete.
Dikur, beteja bëhej për të pasur një paralele më shumë në shkollat e mesme, dikur luftohej për t’u regjistruar në një fakultet, shpeshherë në një degë që nuk e dëshiroje, por megjithatë studioje. Sot, këto pengesa nuk ekzistojnë më, por mungon guximi, mungon ideja, mungon frymëzimi.
Derisa të vazhdojë kështu, perspektiva e shqiptarëve nuk do të jetë e mirë. Nuk mjafton të ankohesh në rrjetet sociale për “ngulfatjen” e të rinjve, por duhet të punosh dhe të angazhohesh për ta ndryshuar atë. Nuk mjafton as të rrish në kafene deri në mëngjes e pastaj të zgjohesh pasdite, por duhet të kesh synime dhe të ndërtosh kauza jo vetëm për veten, por edhe për shoqërinë. Sepse vetëm kur e mendon interesin e përgjithshëm, bëhesh i vlefshëm edhe për veten tënde.
Uroj që për shumë gjëra të mos kem të drejtë, por derisa të rinjtë të heshtin, të vjetrit nuk do ta lëshojnë asnjëherë rrugën. Sepse, siç thuhet: “Pa qarë fëmija, as nëna nuk i jep për të thithur.”