/ Preshevë, 26 dhjetor 2024/
Mbrëmja e djeshme ishte e veçantë në Preshevë. Në festat e fundivitit, thuajse çdo pjesë e atdheut ftrymon ndryshe, ngase vijnë shumë mërgimtarë. Kjo plagë e dhimbshme e kombit që na ka kapluar me shekuj, por krenarë dhe kurrë pa e harruar vendin e të parëve. Mungojnë aktivitetet për t’i nderuar bashkatdhetarët, ky aset i madh i të mirës në atdhe. E kësaj here, Teatri i Qytetit në Preshevë edhe pse kishin barrën kryesore të organizimit në edicionin e XIX në Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” Presheva 2024, ata rezervuan kohën dhe dhanë mund që ti nderojnë bashkatdhetarët tanë me hyrje falas, vetëm për t’i treguar se janë të mirëseardhur e të nderuar për jetë.
Salla nuk ishte e mbushur ashtu siç e meritojnë, ndërsa kafet rreth e rrotull përplot. Fajin nuk po e kërkojmë, por ai dihet. Ky teatër, me vite po dëshmon me punë e përkushtim se nuk duhet harruar investimin në kulturë, sepse e dimë rëndësinë e kulturës. Kësaj here nuk po ndalemi në vlerën e artit, por në mbrëmjen e djeshme.
Dritat e shtëpisë së kulturës ishin të ndezura, regjisorja e njohur, ikona e artit në Preshevë, znj. Afeida Boriçi Memeti, e që duhet përmendur se është bija e të pazëvendësueshmit, tashmë të ndjerit, z. Agron Boriçi, priste mërgimtarët me modestinë e saj dhe i orietonte në sallë. Kjo është madhështore. Skender Halimi erdhi më herët në sallë, ai përgatise aspektin teknik që të dile mirë, si zakonisht, që është edhe drita e artit që pa të, asgjë s’ishte bërë, ngase ai gjithmonë edhe atë me vite është përkujdesur për zërim e teknikë. Ky staf kërkon mbështetje.
Para disa ditëve, komendia që u dha mbrëmë „Një dorëzim“ ishte premierë. Teatri i qytetit i uroi mirëseardhje bashkatdhetarëve. Në orën 19:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, zonja Boriçi Mehmeti i ndali dritat te salla e shtëpisë së kulturës që i gjasonte viteve ’95-ta, atëherë kur edhe unë moderoja shpesh në atë skenë.
Komedia “NJË DORËZIM“ me autor Martin McDonagut e regji nga znj. Afeida Boriçi, me aktorët e mrekullueshëm, me aktorët e shumë çmimeve, me aktorët profesionistë:
Gani Veseli
Valon Nuhiu
Egzona Salihu
Artan Ibishi
Skenografia Nexhat Boriçi, muzika Skender Halimi, dritat Xhemal Hasani, rekuizitat Burim Emini, kostumet Fitore Fejzullahu, ndihmës skene: Ibrahim Nuredini, sikur i thanë mërgatës sonë, ‘mos e harroni atdheun edhe në të ardhmen dhe faleminderit për gjithçka të mirë që keni bërë e bëni për vendin tuaj!’.
Aktorët luajtën rolet e tyre me shumë përgjegjësi, sa që edhe dashamirët e artit që ishin prezentë u kënaqën dhe treguan edhe duatrokitjet e tyre. Secili aktor më i mirë se tjetri. Krejt në fund, shumë të pranishëm realizuan edhe foto kujtimi me aktorët. Nuk mundemi pa e përsëritur se kultura duhet të përkrahet. Ky teatër e meriton të mos e mendojë anën materiale, por të mendojë se si të realizojë shfaqje. Investimi në kulturë, e dimë të gjithë, se është jetik dhe oksigjen për një popull.
Presheva dhe e gjithë Lugina e Preshevës e do teatrin, e do kulturën, edhepse është në një situatë geto. Megjithatë, nuk do të dorëzohen ata që vërtetë e duan artin. Me disa mërgimtarë që patëm mundësi të bashkëbisedojmë, fjala e tyre ishte, ‘këta aktorë me stafin e tyre janë mushkëritë e vendit dhe duhet të kenë përkrahje edhe atë pa humbur kohë dhe të investojmë sa më shumë në këtë drejtim’.
Ajo që ishte shumë e ndjeshme për të pranishmit dhe në këtë rast mërgimtarët, teatri i Preshevës na tregoi se ne nuk jemi për të fituar, por për të mbijetuar arti dhe kultura në përgjithësi, prandaj mërgatën nuk e shikojmë vetëm për të mirat materiale që i kanë, por për shpirtin me plot diell që e kanë dhe hyrja është falas.
helveticALforum