Një ngjarje e re artistike bëhet pjesë e kalendarit kulturor të Tiranës, duke sjellë në vëmendje pianistët e rinj.
Bëhet fjalë për Festivalin Ndërkombëtar “Frederik Shopen”, në 215-vjetorin e lindjes së virtuozit të pianos së epokës romantike dhe 30-vjetorin e Shoqatës që mban emrin e tij.
150 artistë të grupmoshave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të ndryshme të botës do të jenë pjesë e konkursit pianistik “J’adore Chopin”.
Organizatorët shohin te konkurrentët potencialin dhe mundësinë e zhvillimit deri në skenat ndërkombëtare, teksa premtojnë shumë surpriza.
Me një juri të përzgjedhur me pianistë dhe muzikantë të njohur ndërkombëtarisht nga Polonia, Italia, Gjermania e Franca do të gjykohet interpretimi i artistëve të rinj, ndërkohë që gara do të ndahet në disa faza.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të jetë shtëpia e konkurentëve të festivalit që do të mbahet nga data 1 deri më 6 mars, që përkon me ditët shopeniane në Tiranë.
Pjesëmarrësit do të interpretojnë vepra nga Fryderyk Chopin dhe kompozitorë të tjerë, si dhe vepra të kompozitorëve shqiptarë. Përveç Çmimit të Madh, konkursi do të ndajë katër çmime të para, katër çmime të dyta, katër çmime të treta, çmimin “Shqiponja”, çmime speciale, diploma dhe certifikata, njofton euronewsal.