Universiteti i Evropës Juglindore, në praninë e korit diplomatik, përfaqësuesve të pushtetit vendor rektorëve të universiteteve publike, bordeve të akreditimit, stafit dhe studentëve, sot (21 nëntor 2024), shënoi 23 vjetorin e themelimit.
Në fjalën e tij të rastit, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, theksoi se Universiteti mbush 23 vite, pikërisht në muajin kur ne festojmë edhe data të tjera të rëndësishme për kominitetin tonë, si të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe të Flamurit tonë kombëtar.
“UEJL, me sukses vazhdon të rrugëtojë si Universitet unik tre-gjuhësor, me 45 programe studimore deridiplomike dhe të ciklit të dytë, 2 programe specialistike dhe 12 programe studimore të ciklit të tretë, me gjithsej mbi 4.500 studentë aktiv dhe rreth 3000 studentë të “parkuar”, siç i quajmë ne studentët me ngecje në studime. Me ristrukturimin e vazhdueshëm akademik të programeve, ky numër dukshëm do të vazhdojë të rritet edhe në programet e reja, tanimë të dukshme në horizontin e ofertave konform kërkesave të tregut të punës.
Në këtë proces të zgjerimit programor, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të „thellësisë” akademike në mësimnxënie karshi “gjerësisë” së programeve dhe profileve akademike.”, theksoi mes tjerash Rektori Bexheti.
Më tepër: https://www.seeu.edu.mk/sq/information/news-events?id=2820