Një zhvillim i papritur nga Bashkia e Tiranës, ku mësohet se kryetari Erion Veliaj është shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Pas një periudhe hetimi mbi katër vepra penale, forcat e BKH-së kanë ndërhyrë mesditën e sotme në ambientet e bashkisë, duke ekzekutuar urdhrin e arrestit ndaj tij.
Burime pranë SPAK konfirmojnë se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) masën e sigurisë “arrest me burg” jo vetëm për Veliajn, por edhe për një tjetër zyrtar të lartë. Ndërkohë, pritet një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat dhe hapat e mëtejshëm të hetimit.
Mësohet jo zyrtarisht se ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ndërkaq “Ora News” ka siguruar pamjet telksa kryebashkiaku në detyrë Erion Veliaj del nga zyra e tij në Bashkinë e Tiranës i shoqëruar nga hetuesit e BKH-së dhe futet në autoveturën e zezë që përdoret nga Veliaj.
Nisur nga zhvillimet e fundit kryeministri Edi Rama ka anulluar të gjitha takimet që kishte gjatë ditës në Shkodër.
Kreu i qeverisë është nisur urgjent drejt Tiranës pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.
Rama kishte planifikuar një drekë me zyrtarë dhe kryetarë bashkish të PS si dhe më pas do ë zhvillonte një takim me strukturat e PS në Shkodër, por i ka anulluar duke u nisur drejt kryeqytetit.
4 VEPRAT PENALE QË RËNDOJNË MBI ERION VELIAJN
Ndërkohë, kujtojmë dhe katër akuzat për të cilat kryebashkiaku Veliaj po hetohej nga Prokuroria e Posaçme.
Në një njoftim të bërë më herët SPAK njoftoi se qytetari i parë i Tiranës dyshohet se ka konsumuar katër vepra penale që janë:
-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë;
– Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë;
-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
-Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të –personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim, njofton oranews.