/ Nga PhD:Xhavit LIPAJ, Zvicër /

Në cep të shpirtit rri vendlindja ime, e mbështjellë me mjegull kujtimesh të lashta, aty ku zëri i nanës ishte si ninulla e dheut, ku lotët e fëmijërisë thaheshin nga era e bjeshkëve.
Gurët e pragut ende më njohin, janë po ata që më panë duke u rritur, që i përqafova me duar të njoma, para se rrugët e botës të më thërrisnin.
Perëndimi më mbështolli me drita të huaja, më dha horizonte të reja e rrugë të panjohura, por sytë e mi, si zogj të mërguar, kërkojnë agun në malet e vendit tim.
E ndiej si dridhet shpirti kur fjala shqipe më vjen si këngë e harruar në një botë të huaj.
Aty ku lind fjala “mëmëdhe”, aty rrah zemra ime me ritmin e gjakut tim.
Dy nuanca, dy jetë, një shpirt i vetëm, midis rrënjëve që nuk shkulen kurrë, dhe erërave që më shtyjnë tutje, pa më lënë të harroj kush isha, kush jam.
Në vendlindje u linda, në perëndim u burrërova, po në shpirt… gjithmonë mbetem shqiptarë.
( Foto nga autori i shkrimit)
helveticALforum