/ Nga Dashnim HEBIBI/, Cyrih
Emmenbrücke, 9 Mars 2025
Ashtu si në atdhe, edhe në mërgim, muaji i shenjtë i Ramazanit po kalon me harmoni dhe përkushtim. Iftaret e organizuara në xhami dhe ambiente familjare nuk janë një garë për të shtruar tryeza, por një dëshmi e unitetit dhe solidaritetit të mërgatës shqiptare. Një shembull i tillë u pa edhe në xhaminë „Drita“ në Emmen, e cila mbrëmë mirëpriti një numër të madh besimtarësh dhe personalitetesh të shquara nga komuniteti shqiptar dhe ai zviceran.
Në këtë muaj të mëshirës dhe reflektimit, mërgata shqiptare ka treguar se mendon për gjeneratat që vijnë, duke përfshirë edhe fëmijët në këto organizime, duke i mësuar ata jo vetëm për rëndësinë e fesë, por edhe për vlerat e bashkëjetesës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.
Në Zvicër veprojnë mbi 80 xhami shqiptare, të cilat gjatë Ramazanit janë përplot me besimtarë çdo natë. Edhe në xhaminë „Drita“, atmosfera ishte e veçantë, ku përveç iftarit, u zhvillua një diskutim mbi ruajtjen e gjuhës shqipe, bashkëpunimin e komunitetit dhe trashëgiminë kulturore.
Pjesëmarrja e personaliteteve të rëndësishme
Në këtë mbrëmje të veçantë, e cila shërbeu si një urë bashkëpunimi mes komunitetit dhe institucioneve, ishin të pranishëm:
- Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih
- Dr.sc. Gjenis Haxhimehmeti, Sekretar i Ambasadës së Kosovës në Bernë
- Z. Visar Robelli, afarist dhe kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore
- Z. Florim Useini, afarist dhe kryetar nderi i RRBSHZQ
- PhD. Dashnim Hebibi, nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore
- Z. Selami Huruglica, veprimtar
- Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari
- Kryesia e xhamisë “Drita”
- Përfaqësues nga xhamitë shqiptare në Wil, Frauenfeld, Reinach, Altendorf dhe shumë personalitete të tjera nga komuniteti fetar, akademik dhe afarist, si:
Imam Nusret ef Shiti, Azir Jusufi, kryetari i kuvendi KMSHZ, Mustaf Mustafa, zv. kryetar i xhamisë Drita, hoxha Rexhep Gurgurovci, imam i xhamisë mike, Goldau, hoxha Abdulkerim Sadiku, Florin Huseini, haxhi Abdullai Mustafa ish kry. xhamia Wil dhe ish kryetar i Kuvendit të KMSHZ, Xhabir Shala, zv. kryetar i xhamisë mike Frauenfeld e shumë të tjerë. Darka, iftar u shtrua për mbi 50 persona dhe gjithçka shkoi si është më së miri me ushqime të shumta e të lloj-llojshme.
Bashkëbisedim për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare
Përpara iftarit, të pranishmit zhvilluan një bashkëbisedim të frytshëm mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, rolin e xhamive si qendra edukative dhe mundësinë e bashkëpunimit me LAPSH-in (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër).
Diskutimi u drejtua nga personalitete si ambasadori z. Demiri, konsulli z. Berisha, si dhe intelektual dhe veprimtarë të njohur. Të gjithë theksuan rëndësinë e gjuhës shqipe si një element kyç për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së fëmijëve në aktivitete kulturore dhe edukative në gjuhën amtare.
Mirënjohje dhe reflektime
Pas iftarit, kryetari i xhamisë „Drita“, z. Fadil Asani, një veprimtar i njohur, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kontributin e tyre në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe fetare. Ai theksoi se kjo natë do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit.
Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, shprehu admirimin e tij për organizimin dhe përkushtimin e diasporës shqiptare në Zvicër, duke theksuar se shqiptarët jo vetëm që po ruajnë identitetin e tyre, por po kontribuojnë edhe në mirëqenien e shoqërisë zvicerane. Edhe z.Florim Useini u ndal së veçuari kontributin e xhamive në Kosovë edhe para luftës, gjatë dhe pas saj. Ai theksoi, se mërgata shqiptare ishte dhe është në çdo moment me atdheun, por duhet të angazhohemi që të gjithë që të punojmë edhe më shumë për gjeneratat e reja, që të ruajmë gjuhën e traditat tona.
Përfundimi i mbrëmjes
Në përfundim të mbrëmjes, të pranishmit bënë lutje për paqe dhe harmoni, jo vetëm për veten dhe familjet e tyre, por edhe për shtetin zviceran, i cili për shumë shqiptarë është bërë atdheu i dytë.
Kjo mbrëmje tregoi edhe një herë se xhamitë shqiptare në Zvicër nuk janë vetëm vende të adhurimit, por edhe qendra të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit dhe shtetit zviceran.
Ky iftar në xhaminë „Drita“ ishte një nga shumë të tillë që organizohen në mërgatë gjatë Ramazanit, por ky ishte i veçantë për shkak të mesazhit të tij të fortë mbi unitetin, bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta.
Ja se si e përshkruan mbrëmjen z.Fadil Asani, kryetar i xhamisë „Drita“:
„Nata e mbrëmshme do ngel në kujtesën tonë si një ditë fest sepse u mbush me miq e dashamirë tonë,të cilët ishin të ftuar për një iftar të përbashkët, kështu që ishte nderë mbrëm që të ishim nikoqir të Iftarit tashmë tradicional të shtruar së bashku me shokët e mi Selami Huruglica,Sejdi Aliu dhe Bajram Ibrahimaj në Xhaminë Drita , per miqët, shokët e xhematin e xhamisë.
Falemederojmë te gjithë nga zemra që ju përgjigjën fteses dhe na hijeshun këtë iftar me prezencen e tyre, Myftiu i Shkodrës miku ynë i shtrejtë Muhamed Sytari, Shkëlqesia e tij Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bern e miku ynë i madh z. Rexhep Demiri, Shkëlqesin e tij Konzullin e Republikës së Kosovës në Zürich e mikun tonë të madh z. Vigan Berisha, nënpunsin e Ambasadës së Kosovës në Bern e mikun tonë të shtrejtë Gjenis Haxhimehmeti, xhakën tonë te shtrejtë , Kryetarin e Kuvendit të KMSHZ-së z. Azir Jusufi, Imamin e Xhamisë Goldau Rexhep Gurgurovci, një mik tonin të shtrejtë ish Kryetar i Xhamia Wil dhe ish Kryetar i Kuvendit të KMSHZ-së Haxhi Abdulla Mustafa, mikun tim te shtrejte e të xhamisë dhe Kryetarin e Xhamisë Altendorf, Sinan Daku, Abdulkerim Sadiku ish imam i Xhamisë Drita, Imamin e perkohshëm të Xhamia Drita Nusret Shiti, mikun tonë te shtrejtë gazetarin e njohur Dashnim Hebibi, muezinin dhe zemblin Shuajb Sadiki, vllaun tim te zemres e mikun e shtrejtë zë ëmblin Menduh Allajbeg, Kryesinë e Xhamisë Drita me në krye nënkryetarin Mustaf Mustafa ,miqë të shumtë si Zhuta Bardhul,Mitat Mustafa,Sami Aliu, Munir Maliqi, Ish nenkryetarin e Xhamisë Drita, vellaun tim Nexhat Shala, Rininë e Xhamisë Drita, e shumë e shumë miq të cilët ndoshta nuk kam mundur ti permend me emra e qe na ndruan me prezencën e tyre.
Në veçanti dua ti falenderoj përgjegsit e kafeteris së Xhamisë, Egzon Isaku dhe Mensur Gurgurovci dhe të gjithë ato të rijë të cilët u angazhuan që ky iftar edhe pse në një ambient ( të ngusht) shkaku i hapsirave që i kemi në xhaminë tonë, të rjedh pa asnjë pengesë.
Zoti ju nderoftë të gjithve ashtu si ju na nderuat neve.
Mirë u takofshim në iftaret e Ramazaneve tjera inshallah”.
helveticALforum