Ndërsa nesër e diele, siç mësoi helveticALforum, do të zhvillohet turniri për moshën e rritur. Kemi kontaktuar me imamin e xhamisë z.Nehat V.Ismaili, një personalitet uniteti me plot kuptimin e fjalës, shumë i përgaditur, me urtësi dhe modesti ka punuar dhe punon për paqe dhe ai na njoftoi se si ka shkuar turniri i sotëm dhe ai ndër të tjera na tha:
“Në orët e hershme të këtij mëngjesi të freskët, në sallën sportive të Aarburgut, u mblodhën bashkë më shumë se 90 vogëlushë, të ndarë në nëntë ekipe. Me prindërit e tyre, si mbështetës besnikë, dhe shokët e vegjël, që i inkurajonin në çdo hap, fëmijët e gjetën shtegun e gëzimit dhe sportivitetit të pastër.
Këto momente të arta u shënjuan nga zëri i fituesve, ku çdo buzëqeshje e fëmijëve ngadhënjeu mbi çdo ndeshje të vogël. Entuziazmi i tyre ishte një simfoni ngjyrash dhe emocion që rezonoi në zemrat e të gjithë të pranishmëve.
Nën tingujt e këngëve shqiptare, që përhapnin aromën e identitetit tonë, dhe mes shijeve të pijeve ekzotike dhe ushqimit tradicional, kjo ditë e veçantë u bë më shumë se një turnir – u kthye në një festë të bashkimit dhe vlerësimit.
Kur erdhi çasti për të nderuar më të mirët, FC Aarburg dhe FC Hala Madrid e morën shkëlqimin e vendit të parë për grupmoshat e tyre. Megjithatë, çdo fëmijë që mori pjesë, u kurorëzua me dekoratat e mirënjohjes dhe përkushtimit, të shpërndara nga unë si imam dhe kryetari Nimet Ramadani.
Të gjithë fëmijët e dinin arsyen e këtij organizimi me rastin e 112 vjetorit të shtetit shqiptarë. Ku edhe gjatë kohës së pushimi, ata bisedonin edhe për rëndësinë e madhe kombëtare të festës sonë. Flamuri kuq e zi na bashkon të gjithë shqiptarëve kudo që gjendemi.
Në fund, e gjithë kjo ditë e bukur, e kthyer në një festë të shpirtit sportiv dhe krenarisë kombëtare, mbetet një kujtim i ngrohtë në zemrat e çdo fëmije, prindi dhe spektatori që e përjetoi. Ndërsa nesër e diele, do të luajnë të rriturit dhe padyshim se do të mbijetoj festa dhe gëzimi“. Nuk është hera e parë që stafi i kësaj xhamie dhe të përkrahur nga bashkëkombas, organizojnë aktivitete të ndryshme.
heveticALforum.ch