Është emocionuese kur i sheh rrugët me emrat: “Skënderbeu”, “Gjergj Fishta”, “Princesha Teuta”, “Bregu i Diellit” etj., e menjëherë të shkon mendja te shqiptarët e Luginës së Preshevës
Të ecësh nëpër kohë, e herë-herë edhe nëpër kohë të pakohë, të duket vetja se po e ecën historinë, që po e shohim ditë për ditë, dhe të shfaqen kujtime të ndryshme, sa nganjëherë nuk mund të pajtohesh as me vetveten.
E uni joverbal e pasqyron më të mirën e mundshme, realitetin që ndjen emocioni, kur e sheh atë që e sheh vetëm shpirti.
E dritarja e shpirtit dëshiron ta pranojë dritën e asaj që i duhet dritës reale, por si duket emocioni po del shpeshherë fitues. Për ta prekur emocionin real në lidhje me një histori, sa të lashtë, aq edhe aktuale, do të përpiqemi nëpërmjet pak rreshtave ta dëgjojmë tiktakun e zemrës për atë që sytë e shohin.
Ndonjëherë dhimbjen e shpreh më mirë ana joverbale, por krahas dhimbjes, e përjetojmë edhe gëzimin në të njëjtën mënyrë. Rolet mund edhe të ndryshohen, të dhimbjes e të gëzimit, por ajo që është më realja, origjinaliteti i tyre mbetet në sofrën e shpirtit.
E atje, në atë vend të bekuar, kudo frymonte arbërisht, të dukej se edhe valët e detit donin të flisnin, ato pëshpëritnin me gjuhën e zhurmës, që krijohej me ndihmën e erës, e që vinte nga një vend i padukshëm… Alfabetin e historisë më mirë që nuk e njoh, sepse pastaj është dashur të flas edhe me historinë, e nuk di se çfarë do t’i kisha thënë, apo ndoshta edhe nuk kisha guxuar të flas fare me të. Por, një gjë të paktën do t’ia thosha: “Këtu po shoh një pjesë të trungut shqiptar”.
Nëpërmjet pak rreshtave në këtë sofër mediale po i prezantoj disa foto për lexuesit tanë, për ta argumentuar kështu se arbëreshët e ruajtën dhe po e ruajnë të gjallë arbërishten, edhe pse shteti shqiptar do të duhej të investojë në forma të ndryshme për t’i ndihmuar ata, e pse jo edhe studiues të ndryshëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri apo në trojet tjera shqiptare, të merren më rrënjësisht me arbëreshët dhe të ardhmen e tyre në shtetin mik të Kroacisë.
Arbëreshët e Zarës prej tre shekujsh janë ndarë nga trungu shqiptar dhe jetojnë në shtetin kroat, por megjithatë ata i kanë ruajtur gjuhën, zakonet, traditat, këngët e gjithçka tjetër shqiptare.
E folmja e arbëreshëve në Arbëresh po zhduket në mënyrë graduale, mendojnë kështu disa arbëreshë të moshës së thyer, me të cilët patëm mundësi të bashkëbisedojmë në qendër të Zarës. Arbëreshët e vjetër e kujtojnë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, por gjithashtu e plotësojnë frikën me arsyen se arbërishtja po shkon drejt zhdukjes, ashtu sikur ilirishtja dikur. Edhe intelektualët e shquar arbëreshë, si Rela, Deshpali, Miro i Kikicës, Kruno Kërstiçi dhe të tjerë ishin të vetëdijshëm se një përfundimin i këtillë do të ndodhë. Prandaj, ata përpiqeshin për ta shkruar gjuhën arbërishte-shqipe dhe kërkonin që ajo të mësohej edhe në shkollë.
Sipas disa shkrimeve që mundëm t’i sigurojmë, i gjetëm këto statistika:
1). Pjesa e parë mbërriti në gusht të vitit 1726 dhe numëronte gjithsej 16 familje, me 121 persona. Bëhet fjalë për familje patriarkale, disa prej të cilëve kishin nga 10-12 anëtarë.
2). Pjesa e dytë mbërriti në vitin 1727 dhe numëronte gjithsej 7 familje, me 71 persona, që u sistemuan të gjitha në Zemoniko.
3). Pjesa e tretë mbërriti në vitin 1733 dhe numëronte 28 familje, me 150 persona.
Ishte emocionuese kur i sheh rrugët me emrat: “Skënderbeu”, “Gjergj Fishta”, “Princesha Teuta”, “Bregu i Diellit” etj., e menjëherë të shkon mendja te shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët nuk kanë mundësi për momentin ta kenë ndonjë rrugë me emrat e këtyre personaliteteve të historisë shqiptare, edhe pse është një numër jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në ato treva shqiptare.
Të kalosh nëpër këto rrugë të Zarës është e pamundur të mos kesh emocione, e nëse provon t’i flasësh shqip ndonjë kalimtari të rastit, e kështu ndodh edhe me të rinjtë, ata ndalen dhe të shikojnë në sy dhe duan t’ua përsëritësh edhe një herë pyetjen, e më pastaj do të kuptosh se përpiqen të flasin arbërisht.
Nëpër oborret e arbëreshëve sheh orendi të mrekullueshme, ku nuk mungojnë edhe barkat, apo edhe ndonjë anije modeste.
Po e përfundoj këtë pjesë të shkrimit duke luftuar me emocionet e mia që të mos zgjatem më shumë.
Teksti dhe fotot: Dashnim Hebibi, Zarë