Presidenti Donald Trump po pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në një takim dypalësh, ku liderët pritet të diskutojnë përpjekjet e SHBA-së për t`i dhënë fund luftës dhe potencialisht të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet e rralla.
Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse të dy liderët do të nënshkruanin një marrëveshje sot, por teksa i shtrëngoi dorën Zelenskyt, Trump bëri shaka se lideri ukrainas është “i veshur bukur sot”.
Marrëveshja do t’i ofronte SHBA-së qasje të lehtë në pasuritë minerale të pashfrytëzuara të Kievit në këmbim të investimeve dhe atë që Ukraina shpreson se do të ishin garanci konkrete të sigurisë. Detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta, por analistët thonë se kjo mund të çojë në negociata më të gjera paqeje, raporton CNN.
Vetëm disa ditë pasi e quajti presidentin e Ukrainës një diktator, Trump zbuti tonin e tij përpara takimit, duke u thënë gazetarëve të enjten: “Unë kam shumë respekt për të”.
Trump u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të enjten, ndërsa liderët evropianë kërkuan të merrnin garanci sigurie për Ukrainën dhe u përpoqën të rirreshtoheshin me Trumpin, pasi mbetën të përjashtuar nga bisedimet SHBA-Rusi për përfundimin e luftës.
Paraprakisht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se u takua me një delegacion dypartiak të Senatit të SHBA-së gjatë udhëtimit të tij në Uashington DC të premten, të cilin ai e përshkroi si “një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara”.
“Diskutimet tona u fokusuan në ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, nismat përkatëse legjislative, takimin tim me Presidentin Trump, përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, vizionin tonë për përfundimin e luftës dhe rëndësinë e garancive të forta të sigurisë”, tha Zelensky në një postim në X.
“Ne krenohemi që kemi partnerë strategjikë dhe miq si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur dypalëshe dhe dypartiake për Ukrainën gjatë të tre viteve të agresionit në shkallë të plotë të Rusisë”, shtoi ai,njofton rtk.