Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me kongresistin Ritchie Torres.
Sipas njoftimit, në fokus të diskutimit ishte perspektiva euro-atlantike e Kosovës dhe rrugëtimi në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Zëvendëskryeministri theksoi veçanërisht rëndësinë për mbështetje drejt anëtarësimit në NATO, si një proces me rëndësi gjeostrategjike për vendin por edhe për rajonin”.
“Trajtoi dhe progresin demokratik e rritjen ekonomike që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit si tregues të zhvillimit të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash bëhet e ditur se Bislimi e informoi Torresin edhe mbi sulmin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, që sipas tij, për synim kishte ndërprerjen dhe vështirësimin e shërbimeve esenciale.
Bëhet e ditur se Bislimi u takua edhe me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani, me të cilën diskutuan një sërë temash të fushës ekonomike, fiskale dhe sektorale.
“Bassani vlerësoi lart bashkëpunimin me Kosovën dhe arritjet në vitet e fundit. Të dy palët theksuan se Kosova gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime shumë të mira, duke udhëhequr me reforma dhe rritje ekonomike në rajon”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua gjithashtu për zbatimin e projekteve zhvillimore të financuara nga Banka Botërore dhe atyre që janë në proces aprovimi. Mes tjerash theksohet se Bassani shprehu keqardhje për sulmin ndaj Kosovës në kanalin e Ibër Lepencit, duke theksuar se Banka Botërore është e përkushtuar për të ndihmuar në sanimin e dëmeve, njofton rtk.